Policia e Kosovës ka ndaluar tre persona të dyshuar për kryerje të veprës penale “Kontrabandim me migrantë” sot në Vërmicë.

Me datë 09.06.2020 rreth orës 02:00 në fshatin Vërmicë, një njësi policore nga stacioni policor për mbikëqyrje të pikës kufitare në Vërmicë, gjatë kryerjes së detyrave të rregullta për vëzhgim të vijës kufitare, ka vërejtur një grup prej 24 personash me shtetësi siriane duke hyrë ilegalisht nga Republika e Shqipërisë në territorin e Republikës së Kosovës.

Përveq këtij grupi, Policia e Kosovës ka vërejtur edhe dy automjete në të cilat ishin katër persona që dyshohet se ishin në pritje për kontrabandim të personave të lartëcekur.

Në lokacion policia ka bërë arrestimin e tre personave të dyshuar me ç’ rast u janë konfiskuar telefonat personal të cilët dyshohet se kanë përmbajtje të dëshmive që i implikon të dyshuarit në rast.

Policia njoftoi se gjithashtu është bërë sekuestrimi i dy automjeteve me të cilat është tentuar që të kryhet kontrabandimi me migrantë.

Në konsultim me prokurorin kompetent, tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa i dyshuari i katërt është në kërkim nga Policia e Kosovës, pasi që gjendet në arrati./21Media