Dyshohet për keqpërdorim seksual duke keqpërdorur pozitën zyrtare apo profesionin

Dyshohet për keqpërdorim seksual duke keqpërdorur pozitën zyrtare apo profesionin

Është arrestuar sot avokati Gazmend Halilaj. Këtë e ka bërë të ditur Inspektoriati Policor i Kosovës. Halilaj arrestohet për rastin e keqpërdorimit seksual të një të miture në Drenas.

“I dyshuari me inicialet G.H u arrestuar me dyshimin se i njëjti ka kryer veprat penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”- neni 422, “keqpërdorim seksual duke keqpërdorur pozitën zyrtare apo profesionin”- neni 239 dhe veprës penale “frikësim gjatë procedurës penale” nga neni 395 i Kodit Penale të Kosovës.”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Po ashtu bëhet e ditur se bazuar në aktvendimin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës të dyshuarit G.H i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë deri në vazhdimin e procedurave tjera sipas Kodit të Procedurës Penale.

Arrestimin e Halilajt e ka konfirmuar edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë. “me urdhër të prokurorit, është ndaluar edhe personi i katërt me inicialet G.H., lidhur me rastin e të dëmtuarës, A.G., nga Drenasi.”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Më 5 shkurt në media u raportua se e mitura nga Drenasi ishte keqpërdorur seksualisht nga profes.ori SH. XH dhe nga hetuesi policor V. V, ky i fundit dyshohet se e kishte lënë shtatzënë të miturën e pastaj e kishte detyruar që të abortojë. Për rastin e vajzës së mitur nga Drenasi aktualisht profesori Sh.Xh dhe zyrtari policor V.V, që dyshohen se kanë keqtrajtuar seksualisht janë në paraburgim për një muaj, ndërsa mjeku që ka kryer abortin është në arrest shtëpiak. Kurse avokati Gazmend Halilaj është ai i cili ka bërë publik rastin.

Halilaj me të njëtat dyshime ishte intervistuar nga Inspektoriati Policor me 20 shkurt të këtij viti. /21Media