Inspektorati Policor i Kosovës njofton se është suspenduar nga puna dhe është arrestuar një zyrtar policor, pas marrjes së informatave se i njëjti mbrëmë pas mesnatës pas një incidenti që kishte ndodhur në Prishtinë, kishte rrahur një qytetar.

“Pas disa veprimeve hetimore në konsultim me prokurorinë kompetente, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar zyrtarin policor (punonjës në stacionin policor Qendra në Prishtinë) që ishte i përfshirë në këtë incident. Arrestimi i tij është bërë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”, kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra.”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit Policor.

Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës./21Media