Arrestohet në flagrancë, shantazhoi një grua se do t’i publikonte fotografi denigruese
Është arrestuar një person i cili dyshohet se ka shantazhuar një grua për publikimin e fotove denigruese me qellim të përftimit të parave.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës arrestimi i tij ka ndodhur sot (20 janar) në orët e mëngjesit në sheshin e qytetit të Ferizajt.
“E.H, për shkak të veprës penale “Shantazhi”, nga neni 329 paragrafi 1 të KPRK-së, ngase i njëjti me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, e ka kanosur të dëmtuarën, duke i kërkuar shumën prej 1,500.00 € ose në të kundërtën do t’i postonte disa fotografi denigruese në rrjetet sociale, me të cilat do t’ia dëmtonte nderin dhe autoritetin e saj.”, thuhet në njoftim.
Po ashtu bëhet e ditur se të dyshuarit gjatë zbatimit të masës së fshehtë të hetimit, i janë gjetur të hollat e pranuara nga e dëmtuara dhe të njëjtat i janë sekuestruar si prova materiale.
Prokuroria njofton se personi me inicialet E.H., është nën masën e ndalimit prej 48 orësh dhe ndaj të njëjtit, Prokurori i Shtetit do t’i ndërmerre masat e nevojshme procedurale-ligjore./21Media