Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së kanë arrestuar një zyrtar policor nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor” dhe “kanosje”.

Sipas njoftimit, IPK kishte pranuar informacione për këtë rast sot nga Policia e Kosovës lidhur me dyshimin së një zyrtar policor në Pejë ka kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor dhe kanosje. Menjëherë pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së i janë përgjigjur thirrjes duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.

“Pas këtyre veprimeve hetimore është konsultuar edhe prokurori kompetent dhe zyrtarit policor me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar.”, thuhet në njoftim.

Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast./21Media