​Arrestohet një zyrtar policor nën dyshimin për dhunë ndaj bashkëshortes

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së kanë arrestuar një zyrtar policor me dyshimin se i njëjtit ka kryer veprën penale “dhunë në familje”.

Sipas njoftimit, IPK ka pranuar mbrëmë informacione lidhur me dyshimin së një zyrtar policor (jashtë detyrës zyrtare) në Pejë ka kryer veprën penale dhunë në familje.

“Menjëherë pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së i janë përgjigjur thirrjes duke intervistuar viktimën e këtij rasti – bashkëshorten e tij”, thuhet në njoftim.

IPK thekson po ashtu se pas disa veprimeve fillestare hetimore është konsultuar edhe prokurori kompetent dhe zyrtarit policor me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

“Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar”, thuhet në njoftim.

Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.

Back to top button