Porositen edhe 10 mijë të tjera

Porositen edhe 10 mijë të tjera

Ministri i Shëndetësisë në detyrë, Arben Vitia ka njoftuar se sot kanë mbërritur në Kosovë 7 mijë teste të reja të cilat do të shfrytëzohen për të detektuar sëmundjen Covid – 19.

Gjithashtu, Vitia ka njoftuar se ka iniciuar edhe kërkesën për t’u furnizuar edhe me 10 mijë teste të tjera.

“Nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) mbërriti një pjesë e donacionit me material mjekësor mbrojtës kundër COVID-19. Në ditët në vijim mbërrin edhe donacioni nga UNICEF me materiale shtesë. Përmes Bankës Botërore kanë përfunduar proceduarat e aktivitetit të prokurimit për material mjekësor mbrojtës. Ndërsa në Ministrinë e Shëndetësisë, është në fazën finale prokurimi për materiale mbrojtëse, pajisje dhe barna”, ka shkruar Vitia.

Ai ka njoftuar se janë rreth 300 vullnetarë që janë duke i dalë në ndihmë qytetarëve dhe personelit shëndetësor.

“Kjo kohë krize edhe një herë e vuri në pah solidaritetin, gatishmërinë, vetëdijen dhe kulturën e lartë qytetare. E gjithë kjo është një falenderim, mirënjohje dhe ndihmë e madhe për personelin shëndetësor. Qëndroni në shtëpi. Ndiqni rekomandimet e MSh-së dhe IKShP-së. Bashkë do t’ia dalim!”, ka shkruar tutje ministri në detyrë.

Deri më tani në Kosovë janë raportuar 88 raste me koronavirus./21Media