Nga 25 deri më 31 maj aktivitete falas për publikun në Prishtinë dhe në Mitrovicë veriore

Nga 25 deri më 31 maj aktivitete falas për publikun në Prishtinë dhe në Mitrovicë veriore

Festivali të cilit organizatorët i referohen si më i madhi feminist në rajon, “FemArt” më 25 maj fillon rrugëtimin e edicionit të 5-të me rradhë.

Në edicionin e sivjetmë “FemArt” shtrihet në mbi 40 aktivitete të ndryshme arti, që bëjnë bashkë artiste dhe aktiviste nga e mbarë bota, shkruan rtv21.tv

Për të folur për programin e festivalit, të ftuara në emisionin Bon Bon në RTV21 ishin drejtoresha artistike dhe ekzekutive e festivalit, Zana Hoxha –  Krasniqi dhe Anisa Ismaili, koordinatore e festivalit.

Ka thënë se problemet me të cilat po përballen të gjithë banorët e kësaj toke në veçanti banorët e Kosovës dhe vendet në rajon kanë qenë frymëzim i motos së këtij edicioni, ‘Patrembur’.

“ Menduam të kemi një moto e cila inspiron, inkurajon dhe thërret për ndryshim ose thjeshtë thërret për pranim të diferencave që i kem mes vete dhe një lloj diversiteti që na bënë të veçantë”, ka thënë Hoxha – Krasniqi, duke shtuar gjatë këtyre pesë vjetëve janë munduar që “FemArt” të shihet si një mundësi unike dhe një mundësi e mirë për artistet e reja.

“Jam shumë krenare për një pjesë të programit të artisteve të reja të cilat janë prej moshës 16-22 vjet, e që kanë krijuar enkas për FemArt-in qoftë shfaqje teatrale, ekspozita dhe koncerte nga artiste të reja. Në të njëjtën kohë kemi edhe artiste që tanimë janë emra të dëshmuar”, shtuar ajo.

Hoxha – Krasniqi ka treguar në kuadër të festivalit do të ketë një event special ku është e ftuar artistja e njohur jordaneze, Farah Siraj e cila do të performojë muzikë jazz me motive flamengo dhe muzikës arabe.

Nga ana e saj, Ismaili ka treguar se që nga fillimi ideja e festivalit ka qenë që gjithmonë aktivitetet dhe ngjarjet të përcjellën pa pagesë.

“Më duket që vet njerëzit po ndihen më shlirë nëse nuk kanë nevoj me paguar, prandaj kemi vendosur që asnjëherë të mos kemi pagesë”, ka thënë Ismaili.

Sipas saj, veçanti tjetër e festivalit është audienca e llojllojshme.

Festivali “ FemArt” organizohet nga qendra për art dhe komunitet “Artpolis”, e përkrahur nga Zyra e Bashkimit Evropian, Ministria e Kulturës dhe Komuna e Prishtinës. Programin e festivalit mund ta gjeni në faqen zyrtare www.femart-ks.com/21Media