Sot ka vdekur në moshën 83-vjeçare ikona e muzikës së mirëfilltë shqiptare, Ismet Peja. Artistët kanë ngushëlluar familjen Peja me rastin e vdekjes së këngëtarit të njohur, duke u shprehur se ai do të jetë gjithnjë pranë përmes këngëve.

Këngëtarja Shkurte Fejza është shprehur se Baca Ismet do t’i mungojë skenës shqiptare dhe se kënga e tij do të jetë gjithnjë prezente.

Këngëtarja Remize Osmani është shprehur se Ismet Peja do të jetë gjithnjë në mesin tonë.

Këngëtarja Afërdita Demaku ka deklaruar se Ismet Peja do të jetë gjithmonë në zemrat tona.

Ndërsa, këngëtarja Lori duke e ngushëlluar familjen Peja, është shprehur me fat që ka ka njohur ikonën e këngëve të vjetra shqipe.

Humoristi Rasim Thaqi-Cima duke e quajtur Pejën legjendë, ka ngushëlluar familjen Peja dhe shoqërinë e tij.

Ndërkaq, këngëtari Sidrit Bejleri është shprehur se kënga e Pejës do jehojë gjithmonë edhe për brezat që vijnë.

Edhe ministrja e Kulturës, Rinise dhe Sportit, Vlora Dumoshi sot ka shprehur ngushëllime për familjen e Ismet Pejës. Dumoshi ka thënë se emri i Ismet Pejës do të jetë përjetësisht i lidhur me këngën burimore shqiptare, me melosin popullor shqiptar dhe me veprimtarinë muzikore të Kosovës në përgjithësi.

Ismet Peja është lindur më (27 Prill 1937). Ai ishte këngëtar i këngëve të vjetra qytetare. Ai ishte lindur në Gjakovë, biri i Musa Pejës, i cili ishte po ashtu këngëtar i melosit shqiptar. Që në fëmijëri prej moshës 13/14 vjeçare kishte filluar të merrej me muzikë. Sukseset më të mëdha i ka arritur me shoqërinë muzikore “Hajdar Dushi”, me të cilën kishte prezantime të shumta në TVP dhe Radio Prishtinë. Albumi i tij i parë kishte dalur në vitin 1986 me orkestrën e “Hajdar Dushit”.

Ismet Peja do të varroset sot në orën 15:00 në varrezat e qytetit në Gjakovë./21Media