Një artiste 21 vjeçare nga Filipinet ka zhvilluar një talent të pashoq për krijimin e veprave artistike. Shaira Camille Guillarte vizaton apo pikturon me dy duart njëkohësisht, me anë të gojës e këmbëve (gishtërinjëve të këmbëve), edhe këtë njëkohësisht.

Punën e saj e dokumentojnë videot, të cilat ajo i poston në mediet sociale.

Në një video, artistja shihet duke punuar në njërin kënd pikturën e Albert Einstein, me anë të gojës, në këndin tjetër duke punuar me dorën e majtë pikturën e Billie Eilish, e më të djathtën Ariana Grande-n. Ndërsa, në anën tjetër, me këmbën e majtë shihet duke punuar pikturën e Shakirës, e në të djathtën të Emma Watson-it.

Kjo artiste e talentuar në një intervistë për Newsflare ka thënë se ka disa vite që ushtron këtë mjeshtëri, e karantina ia ka mundësuar që të ushtrojë edhe më shumë në këtë fushë, pasi që ka vizatuar e pikturuar çdo ditë. Ajo ka thënë se nuk mendon se punimet që i bën me anë të gojës janë të përkryera, por se mundohet të ushtrojë edhe në këtë formë. Në fillim krijimet që ka punuar me gojë e këmbë ishin të tmerrshme, ka thënë ajo, por tani i punon më të mira.

Shaira Camille Gullarte mënyrat e krijimit të veprave artistike i ka zhvilluar me qëllimin e njëjtë që ka çdo artist, që të bëjë diçka më ndryshe nga të tjerët dhe duket se ia ka dalë në këtë./21Media