Artpolis do të prezantojë në Beograd performancën skenike ”Gjuetaret e Artemidës”

Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis do të prezantojë në Beograd performancën skenike ”Gjuetaret e Artemidës” në kuadër të edicionit të Festivalit ”Arts & Human Rights”.
Ky edicion i festivalit është organizuat nga Teatri DAH, më 24-27 shkurt 2022 që bën bashkë artistë e artiste dhe aktivistë nga mbarë bota.
Me regji të Zana Hoxhës kjo performancë do të prezantohet para publikut në Serbi më 25 shkurt nga ora 20:00 në Dorcol Platz.

Inspiruar nga natyra dhe bukuritë e fshatit Kukaj, aty ku hapësira dhe çdo gjë që e rrethon këtë ambient është në harmoni me tokën dhe qiellin, nisi një tregim i jashtëzakonshëm i performancës “Gjuetaret e Artemidës”.

Ky proces krijues filloi nga një vizitë në natyrën e qetë, që ishte shërim për trupin dhe shpirtin, e që e frymëzoi regjisoren Zana Hoxha, të krijojë një vepër që është në përputhje me natyrën si perëndeshë shëruese, burim i jetës dhe energji e pashtershme.

Koreografia, muzika, kostumet dhe performanca e aktoreve ndërthuren për të vënë në pah fuqinë, dashurinë dhe solidaritetin natyror të gruas.

”Gjuetarët e Artemidës” ishte dhënë premierë pikërisht në Kukaj, më 25.09.2020, në edicionin e dhjetë të Etno-Festit, duke rrëmbyer edhe dy çmime: Shfaqja më e mirë, dhe Performanca më e mirë. Njëherësh kjo i kishte paraprirë edicionit të tetë të Festivalit FemArt.

Aktoret Aurita Agushi, Kaltrinë Zeneli, Donikë Ahmeti, Daniela Markaj, Qendresa Kajtazi, Hajat Toçilla dhe Fitore Jashari sjellin këtë performancë me koreografi të Robert Nuhës, muzikë të Arbër Salihut e kostumografi të Arbnor Brahimit./21Media

Back to top button