Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, duke folur për gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së Në Gjykatën Speciale ka thënë se askush nuk mund të gjykojë luftën e UÇK-së e cila ka qenë mbi të gjitha ideal i një populli të tërë.

Megjithatë, ajo ka kërkuar nga politikanët që të kursehen nga deklarata politike që ndërlidhen me punën e Gjykatës Speciale.

“Në trajtimet apo dëgjimet që po mbahen në Dhomat e Specializuara po përmenden deklarata politikanësh. Dhe unë mendoj që favorin ose ndihmën më të madhe që mund t’i japin ne si shtet procesit është që politikanët mos të tentojnë të përzihen apo të japin deklarata politike për çështje të drejtësisë. Kosova nuk ka asnjë arsye të fshihet nga e vërteta. Është vetëm një e vërtetë të cilën natyrisht për vite të tëra Serbia ka tentuar ta ndryshojë e ta përmbys, mirëpo ne nuk duhet të lejojmë përmbysjen e së vërtetës”, ka thënë ajo.

Duke folur në një intervistë në Televizionin Publik të Kosovës Osmani ka thënë se Kosova nuk ka asnjë arsye të fshihet nga e vërteta, pasi sic thekson është vetëm një e vërtetë të cilën për vite të tëra Serbia ka tentuar ta ndryshojë e ta përmbys.

“E vërteta është që Serbia ka kryer gjenocid dhe krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Kosovë dhe kërkohet urgjentisht që të gjitha institucionet dhe të gjithë aktorët politikë t’i bashkojnë forcat në mënyrë që të konkretizohen përpjekjet tona drejt një padie që do t’i bëhej Serbisë, por edhe në konkretizimin e punëve që duhet të bëhen për mbledhjen e provave”, ka deklaruar ajo.

Osmani beson se askush nuk do të ketë sukses që të gjykojë luftën e një populli për liri.

“Askush nuk mund ta gjykojë luftën e UÇK-së e cila ka qenë mbi të gjitha ideal i një populli të tërë. Nuk ka qenë asnjëherë ushtri e individëve por ushtri e ndërtuar nga populli i Kosovës dhe nga nevoja për çlirim nga një armik. Andaj askush nuk do të ketë sukses që të gjykoj luftën e një populli për liri”, ka shtuar ajo.