Asnjë i mbijetuar pas rrëzimit të aeroplanit me 132 persona

Ekipet e shpëtimit nuk kanë gjetur asnjë të mbijetuar deri më tani nga një avion me 132 persona, i cili u rrëzua në kodrat e Kinës jugore.
Hetuesit e përplasjes gjithashtu nuk kishin informacion se pse ndodhi rrëzimi i këtij avioni, transmeton rtv21.tv.
Puna e rikuperimit në vendin e rrëzimit të Boeing 737-800 në provincën Guangxi po pengohet nga terreni i vështirë.
Nuk kishte asnjë fjalë zyrtare për viktima derisa Administrata e Aviacionit Civil të Kinës mbajti konferencën e saj të lajmeve, rreth 36 orë pas katastrofës.
“Deri më tani, puna e kërkim-shpëtimit nuk ka gjetur asnjë të mbijetuar”, u tha gazetarëve Zhu Tao, drejtor i zyrës së sigurisë së aviacionit në AAC.
Ekipet e shpëtimit deri më tani kanë gjetur pjesë të avionit të djegur. Transmetuesit shtetërorë treguan imazhe të mbetjeve të djegura të letrave, çantave, kuletave dhe kartave të identitetit që u përkisnin atyre në bord./21Media

Back to top button