Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbisë, Mirosllav Lajçak do të qëndrojë në Kosovë për një vizitë treditore ku do të takojë krerët e institucioneve të vendit dhe përfaqësuesit e partive politike. Kjo vizitë vjen në kohën kur tema e Asociacionit të Komunave Serbe ka bllokuar dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, ku kjo e fundit insiston që të diskutohet kjo temë ndërkohë Kosova vazhdon të refuzojë hapjen e saj.

Vizita e diplomatit sllovak në Kosovë, profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti thotë se tregon përpjekje për ta dinamizuar procesin e dialogut pas zhvillimeve në Shtëpinë e Bardhë ku u nënshkrua marrëveshja e 4 shtatorit.

“Marrëveshjet ndërkombëtare duhet të zbatohen dhe çfarëdo obligimi juridik e politik ndërkombëtar që ka marrë Kosova mbi vete normalisht që do të duhej të ishte pjesë e ecjes në dy drejtime, e para të zbatohet, për faktin që në momentin e nënshkrimit dhe të ratifikimit praktikisht ne kemi marrë mbi vete këtë përgjegjësi, dhe nëse kjo nuk është e mundur atëherë të kalohet në stadin e dytë që të rinegociohet për faktin që njëra palë nuk pranon tekstin e marrëveshjes dhe marrëveshjen në fjalë, dhe kërkon që e njëjta të ridiskutohet. Mbi këtë bazë mendoj që do të jenë edhe kërkesat e zotit Lajçak dhe komunitetit ndërkombëtar, sepse e kundërta e kësaj Kosovën dhe Serbinë do ta vente në pozicion të shteteve të papërgjegjshme që nënshkruajnë marrëveshje e nuk i zbatojnë ato”, thotë Hoti.

Sipas tij, Bashkimi Evropian po synon të përshpejtojë procesin e dialogut dhe takimi i fundit i ministrave të jashtëm, të cilët i dhanë mbështetje emisarit Lajçak në këtë proces, është sinjal se ai duhet të përshpejtojë agjendën.

Por, analisti Faton Abdullahu konsideron se është e panevojshme t’i kërkohet Kosovës të diskutojë temën e dialogut në bisedimet me Serbinë.

Madje, sipas tij, kërkesa për Asociacion është lojë e Serbisë.

“Vizita të këtij niveli që vijnë nga Bashkimi Evropian, përkatësisht Brukseli, në Kosovë duhet marrë seriozisht, edhe atëherë kur ato me qasjen apo propozimet herë pas herë dinë të jenë joserioze, të tillë e kualifikoj unë dhe konsideroj se kam argumente për ta dëshmuar se e tillë është kërkesa e kësaj vizite, e ajo kërkesë është që Kosova të hyjë tash në dialog me Serbinë, ta vazhdojë dialogun dhe temë e këtij dialogu të jetë Asociacioni….Kërkesa për Asociacion, të cilin tani po e sjell në Kosovë Lajçak, është thjeshtë manovrim të cilin po e bën Serbia, e Serbia nuk e po e bënë me qëllim që t’i begatojë të drejtat e serbëve në Kosovë, por po e bën me qëllim që në afat të shkurtë të dëshmojë se Kosova nuk mund të jetë shtet, e nëse është shtet nuk mund të jetë shtet funksional demokratik”, thotë ai.

E Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë për KosovaPress se do të ketë presion nga Bashkimi Evropian edhe në temën e Asocacionit.

“Do të ketë presion nga ana e Bashkimit Evropian në përgjithësi, meqenëse Kosova ka ndërtuar pak atë imazhin si pala konstruktive dhe pala e cila pranon kompromise për të gjitha kërkesat”, thotë ajo.

Haxholli nga KDI thotë se qeveria duhet të ruajë qëndrimin sa i përket themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, që i njëjti të formohet vetëm në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Qeveria e Kosovës duhet të ruajë qëndrimin e saj në rast se themelohet Asociacioni, të jetë vetëm në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, në përputhje të plotë me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, që statuti i Asociacionit i cili duhet të hartohet nga ekipi menaxhues të dërgohet serish në Gjykatën Kushtetuese për Verifikim dhe në asnjë mënyrë mos të lejojë që të themelohet një mekanizëm i cili mund të cenojë sistemin unitar të Republikës së Kosovës dhe të bëhet një minishtet brenda shtetit të Kosovës i dirigjuar nga Beogradi meqenëse dihet ndikimi i Serbisë në komunitetin serb lokal në Kosovë”, thotë ajo.

Sipas saj, Qeveria e Kosovës duhet të ndërtojë qëndrim unik me gjithë spektrin politik në vend sa i përket çështjes së Asociacionit në mënyrë që ky mekanizëm të themelohet vetëm në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

Përveç Kosovës, Lajçak pritet të vizitojë edhe Beogradin për atë që ai e quajti zhbllokim të çështjes së Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti vazhdimisht ka përsëritur se tema e Asociacionit nuk do të hapet më në bisedimet me Serbinë, por kjo e fundit insiston që të diskutohet për të.

Themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe është paraparë me marrëveshjen në mes të Kosovës dhe Serbisë në vitin 2013 në Bruksel.

Më 2015 Kosova dhe Serbia nënshkruan edhe një tjetër dokumentet rreth themelimit të Asociacionit por Gjykata Kushtetuese konstatoi se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.