Ministria e Punëve të Brendshme, respektivisht Agjencia e Regjistrimit Civil, ka njoftuar qytetarët se pronarët e mjeteve të cilët nuk i kanë vazhduar regjistrimet e mjeteve, apo nuk i kanë regjistruar mjetet e tyre për shkak të gjendjes së krijuar nga pandemia me COVID-19, duhet ta përmbushin detyrimin e tyre deri më datën 17.08.2020.

Deri me këtë datë ju vlen polica e sigurimit dhe certifikata mbi konfirmimin e rregullsisë teknike të mjetit, pavarësisht afatit kohor. Pas kësaj date, detyrohen ta dorëzojnë policen e re të sigurimit, që nuk duhet të jetë më e vjetër se pesë (5) ditë nga data e lëshimit dhe certifikatën e re mbi konfirmimin e rregullsisë teknike të mjetit, që nuk duhet të jetë  më e vjetër se tridhjetë (30) ditë nga data e lëshimit. Për zbatimin e këtij afati do të kujdeset Policia e Kosovës. Po ashtu, njoftojmë qytetarët se të gjitha llojet e regjistrimit të mjeteve mund të behën në secilën Qendër për Regjistrimin e Mjeteve të rajonit përkatës, pavarësisht vendbanimit apo vendqëndrimit të pronarit të mjetit”, ka njoftuar MPB./21Media