Atdhe Nuhiu largohet nga Kombëtarja e Kosovës

 

Sulmuesi shtatlartë Atdhe Nuhiu ka njoftuar sot edhe zyrtarisht se e ka braktisur Kombëtaren e Kosovës në futboll pas një rrugëtimi katër vjeçar.

Ne letrën e tij lamtumirëse Nuhiu ka thënë se ky vendim ishte njëri nga vendimet më të vështira në karrierën e tij profesionale, përcjell KosovaPress.

“Po iu drejtohem sot për t’iu njoftuar se sot kam marrë vendimin më të vështirë në karrierën time profesionale në futboll.”, thuhet në fillimin e letrës së Nuhiut.

Nuhiu përmes kësaj letre ka kujtuar edhe takimin e parë me udhëheqësit e Kombëtares së Kosovës.

“Më kujtohet takimi i parë me udhëheqësit e Kombëtares së Kosovës kur pranova me krenari të luaj për këtë kombëtare. Gjithmonë do të jem falënderues për kryesin e kombëtares, të gjithë bashklojtarët e mi, kryetarin Agim Ademin, nga i cili kishim mbështetjen maksimale edhe në kushtet më të vështira, ish-trajnerin Albert Bunjaku me të cilin bashkëpunova nga dita e parë në kombëtare dhe qëllimin e vetëm e kishim të punojmë në mënyrë sa më profesionale e të ndërtojmë një ekip apo një kombëtare që ëndërruan shumë gjenerata para nesh.”, shkruan më tutje Nuhiu.

Sipas Nuhiut, Kosova tashmë ka një kombëtare e cila mund të konkurojë edhe me skuadra si Anglia, Spanja e të tjera.

“Sot Kombëtarja e Kosovës ka një super ekip dhe shpresë për lavdi e suksese në arenën ndërkombëtare, madje duke dëshmuar se mund të konkurojmë me kombëtare si Anglia, Spanje e të tjera.”, thotë ai.

Në fund Atdhe Nuhiu ka falënderuar përzemërsisht edhe të gjithë fansat e kombëtares të cilët ishin me kombëtaren në çdo moment.

Back to top button