Auditori gjen shkelje në prokurim dhe pagesa në Ministri të Shëndetësisë

Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar disa parregullsi në Ministrinë e Shëndetësisë, në veçanti për menaxhimin e specializantëve, për proceset e prokurimit dhe për procedimin e pagesave.

Në raportin e auditimit për vitin 2022, bëhet e ditur së në Ministrinë e Shëndetësisë janë evidentuar tri raste të specializanteve të rregullta që kishin shkuar në pushim të lehonisë pa vendim nga MSH-ja.

“Tri raste të specializanteve të rregullta kishin shkuar në pushim të lehonisë pa vendim nga MSH-ja. Në mungesë të vendimit të pushimit të lehonisë, specializantet nuk kanë mundur t’i dorëzojnë dokumentet për të përfituar të drejtën e pushimit me pagesë edhe për tre (3) muajt tjerë nga Qeveria”, thuhet në raport.

Po ashtu kjo ministri kishte paguar një specializante tre muaj më shumë me 70% të pagës bazë, duke mos i aplikuar ndalesën e pushimit të lehonisë.

“Një specializante ishte paguar nëntë muaj nga MSH-ja (tre muaj më shumë) me 70% të pagës bazë, duke mos i aplikuar ndalesën e pushimit të lehonisë, ndalesën e shujtës dhe shtesës për Covid 19. Po ashtu, edhe në dy raste tjera shujta dhe shtesa për Covid 19 nuk i ishte ndalur specializanteve që ishin në pushim të lehonisë.

Po ashtu MSh, me datë 09.03.2022 kishte nxjerrë vendim për pagesën e dy (2) kujdestarive obligative në muaj për specializantët dhe që pagesa duhet të aplikohet në mënyrë retroaktive nga muaji Janar 2022.

“Ne kemi vërejtur që në katër raste janë paguar më shumë se dy kujdestari për disa muaj. Në listat e pranuara nga SHSKUK kishte pagesa deri në katër kujdestari. Vlera e gabimit ishte 5,855€. Menaxhimi i dobët ishte rezultat i mungesës së kontrolleve për specializantët nga ana e zyrtarëve përgjegjës të Ministrisë”, bën të ditur raporti.

Gjetje tjera në raport janë evidentuar edhe në proceset e prokurimit, ku në aktivitetin e ri-tenderimit “Furnizim me dokumente shëndetësore–receta për institucionet shëndetësore” anëtar I komisionit për vlerësimin e tenderit ishte caktuar zyrtari i cili kishte përgatitur specifikat. Kjo është në kundërshtim me nenin 62 të Rregullave dhe Udhëzuesit Operativ të Prokurimit (RrUOP) te ndarja e detyrave pika 62.3, paragrafi 4. Ky aktivitet kishte filluar me 08.03.2021 dhe kishte rezultuar me kontratë me 30.09.2022.

Po ashtu, në të njëjtin aktivitet të prokurimit ishte krijuar konfuzion te Operatorët Ekonomik (OE) në lidhje me çmimin që duhet ofertuar pas pikës dhjetore.

“Në fillim, në dosje të tenderit ishte kërkuar që çmimet të jenë me dy shifra pas pikës dhjetore, më vonë me katër, pastaj në fund një pjesë e artikujve me dy e pjesa tjetër me katër. Të gjitha këto ndryshime kishin ardhur pas kërkesave të OE si rezultat i specifikimeve që ishin bërë në dosje të tenderit”, thuhet në raport.

Po ashtu në procedurën e prokurimit “Blerja e pajisjeve medicinale për DSHB” (vlera e kontratës 32,340€) mungon vendimi nga ZKA për caktimin e menaxherit te kontratës, siç kërkohet me nenin 61.15 të RrUOP-së.

“Ndarja jo e duhur e detyrave, mungesa e analizave gjatë përgatitjes së specifikave dhe mungesa e vendimit nga ZKA për caktimin e menaxherit të kontratës tregojnë një kujdes jo të duhur të akterëve të involvuar në mbarëvajtjen e proceseve të prokurimit”.

Për mangësitë në procedimin e pagesave, auditori ka identifikuar tri raste të pagesave, ku zotimi i mjeteve ishte bërë pas pranimit të shërbimeve/faturës (vonesat në zotime ishin nga një deri në pesë muaj).

“Këto shërbime ishin për mirëmbajtje të teknologjisë informative dhe shfrytëzim i automjeteve me qira. Totali i këtyre pagesave ishte 26,829€. Kjo ka ndodhur për shkak të praktikës jo adekuate për të zbatuar procedurat ligjore për shpenzimin e parasë publike nga ana e zyrtarëve përgjegjës”, thuhet në raport.

Ky raport i Zyrës Kombëtare të Auditimit ka rezultuar me shtatë rekomandime, prej tyre katër janë rekomandime të reja, dy të përsëritura dhe një pjesërisht i përsëritur.

Back to top button