Ende kemi mangësi serioze te organizatat buxhetore në fushën e pajtueshmërisë me ligjet dhe rregulloret në fuqi. Madje rreth 40% e rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm nuk janë adresuar. Kështu bëri të ditur sot Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, i cili në një konferencën për media shpalosi zbatimin e Planit Strategjik 2018-2021, me fokus të arriturat dhe rezultatet 2020.

Osmani tha se në vitin 2020 kanë arritur t’i publikojnë 132 raporte. Ndërsa, si sukses të këtij institucioni ai e rënditi edhe anëtarësimin në dy organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare të auditimit: e para në nivel botëror INTOSAI, e tjetra në nivel evropian EUROSAI.

“Ende kemi mangësi serioze te organizatat buxhetore në fushën e pajtueshmërisë me ligjet dhe rregulloret në fuqi. Për të përmirësuar mënyrën ekzistuese të menaxhimit, në raportet tona financiare e të perfomancës kemi dhënë mbi 1100 rekomandime për institucionet publike të audituara. Megjithatë, rreth një e treta e rekomandimeve të dhëna mbesin fare të pa adresuara dhe rrjedhimisht përsëriten në raportet tona vit pas viti, derisa vetëm rreth 40% të rekomandimeve janë adresuar. Kjo shkallë e zbatimit të rekomandimeve nuk siguron menaxhim të shëndoshë financiar dhe qeverisje të mirë. Në mënyrë të veçantë janë shqetësues parametrat financiar që kanë të bëjnë me obligimet financiare që janë rreth 310 milionë euro dhe e llogarive të arkëtueshme që janë rreth 637 milionë euro pa llogaritur përkeqësimin e kësaj gjendje si pasojë e ndikimit të pandemisë në vitin 2020”, tha ai.

Tutje Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani tha se ZKA do t’i kushtoj vëmendje të veçantë Sistemit Informativ të Menaxhimit të Financave të Kosovës.

“Krahas kësaj ne kemi audituar sisteme të rëndësishme të Teknologjisë së Informacionit ku kemi nxjerr në pah mangësi të theksuara në lidhje me menaxhimin e tyre, integritetin dhe sigurinë e sistemeve, etj. Sipas vlerësimit tonë rreth 70% e institucioneve kanë mungesë të strategjisë, politikave dhe procedurave për zhvillimin si dhe mirëmbajtjen e tyre. Aplikimi i kujdesshëm i këtyre procedurave do të minimizonte veprimet e paligjshme siç kishim rastin në Thesarin e shtetit, për të cilin publiku është tashmë i informuar. Me planin e auditimit për këtë sezon, ZKA-ja një vëmendje të veçantë do t’ia kushtojë auditimit të Sistemit Informativ të Menaxhimit të Financave të Kosovës”, u shpreh Osmani.

Ai deklaroi se raporti financiar i 13 ndërmarrjeve publike është i pasaktë.

“Sa i përket ndërmarrjeve publike rezultatet e auditimit shpalosin se raportimi financiar është i pasaktë. Për këtë arsye, për 13 ndërmarrje është dhënë opinion negativ për vitin 2019. Gjetjet kryesore të auditimit në Ndërmarrjet Publike janë gjashtë ndërmarrje publike kishin prezantuar rezultat negativ financiar që në total paraqesin humbje prej mbi 28 milion euro, të gjitha Ndërmarrjet e audituara së bashku, kanë afër 161 milionë euro detyrime afatshkurtra apo afatgjata”, tha ai.

Disa nga papajtueshmëritë ligjore të shprehura gjerësisht nëpër institucionet publike të nivelit qendror dhe lokal, të cilat duhet të eliminohen sipas Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm janë: punësim pa konkurs, ushtrimi i pozitave të punës në mospërputhje me gradat e fituara, mosmbyllja e avanseve konform kërkesave ligjore, përdorimi i procedurave të negociuar pa publikim dhe kufizimi i konkurrencës etj.