Avdullah Hoti zyrtarisht sot do të marrë detyrën e tij si kryeministër i ri i Kosovës. Pas votimit të djeshëm në Kuvend me 61 vota, Hoti i LDK-së do të shkojë sot në zyrë për të marrë edhe zyrtarisht detyrën e re.

Por, paraardhësi i tij nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk do të jetë pjesë e ceremonisë së pranim-dorëzimit të detyrës te njeriu të cilin ai e kishte shkarkuar.

“Nuk do ta bëj pranim-dorëzimin, pasi nuk mund ta pranoj atë që e shkarkova, ndërkohë që u dorëzua edhe te presidenti. Ne vazhdojmë betejën. Do të kthehemi përsëri dhe shumë shpejt”, ka porositiur Kurti dje në një video-mesazh të fundit si kryeministër.

Kurti kishte shkarkuar Hotin nga posti i zëvendëskryeministrit vetëm pak orë pas shkarkimit të Qeverisës tij, më 25 mars, pas mocionit të mos besimit, të iniciuar nga LDK, me të cilën Vetëvendosje ishte në koalicion qeverisës për 51 ditë.

Ceremonia e pranim-dorëzimit të detyrës te kryeministri i ri Avdullah Hoti mbahet në orën 9.00.