Avokati britanik Ben Emmerson, do të kërkoj lirimin e klientit të tij, Kadri Veseli, nga paraburgimi deri në kohën kur të fillojë gjykimi i tij. Këtë Emmerson e bëri të ditur në seancën e parë të Veselit, ku mbrojtja u paraqit virtualisht.

Si pikë e parë, Emmerson ka nënvizuar që të qartësohet se Kadri Veseli duhet të presupozohet i pafajshëm deri në një vendim final. E dyta, avokati britanik ka thënë se mbrojtja do të bëjë menjëherë një kërkesë me shkrim pranë Dhomave të Specializuara që Kadri Veseli të mbrohet në liri.

E dyta, Si pikë të tretë, Emmerson i ka kërkuar gjykatës që të potencohet përsëri se Veseli ka ardhur vullnetarisht dhe është vetëdorëzuar, dhe se nuk ka pasur arrestim. Dhe në fund, avokati mbrojtës ka lexuar edhe njëherë deklaratën dhe pozicionin e Kadri Veselit në ditën kur ai është nisur për Hagë, ku, ndër tjera, kishte thënë:

“Ju lutem të keni parasysh se ky tribunal u krijua nga Kuvendi i Kosovës, për të shërbyer në emër të popullit. Ajo është mishërimi i parimit se nuk mund të ketë paqe pa drejtësi, dhe nuk mund të ketë drejtësi pa paqe. Edhe pse e ka selinë në Hagë, ajo është pjesë e sistemit tonë ligjor. Nuk duhet të ketë asnjë hatërmbetje drejtuar ndaj ndërkombëtarëve që punojnë në këtë tribunal. Ata janë duke bërë punën që populli i Kosovës ka kërkuar që ta bëjnë. Ky tribunal është pjesë e rrugëtimit të shtetëndërtimit të Kosovës, dhe ne duhet t’i shkojmë deri në fund.”

Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Kadri Veseli, u deklarua i pafajshëm para gjykatësit dhe prokurorëve të Dhomave të Specializuara të Kosovës./21Media