Avokati i Popullit sot bëri thirrje për rrjedhë të lirë të mendimit, fjalës dhe informacionit dhe për reflektim e mendjehapësi përballë mendimeve të shprehura ndryshe, duke i konsideruar ato vlerë thelbësore të demokracisë, si sistem të cilin Kosova e ka përqafuar si shtet.

Në ditën kur shënohet Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, Institucioni i Avokatit të Popullit bëri të ditur se gazetaria e besueshme, që ndërtohet mbi standarde profesionale dhe etike është jetike për proceset në vend.

Në përballjet e vazhdueshme që gazetaria ka përgjatë procesit të zhvillimit të vet, sipas Avokatit të Popullit, respektimi i lirisë së medias dhe pluralizmit medial, janë dimension i pazëvendësueshëm edhe për të drejtat dhe liritë tjera të garantuara.

“Natyra e punës di t’i bëj gazetarët/et shënjestër të kërcënimeve apo sulmeve, gjë që e vështirëson funksionimin efektiv të medias në shpërndarjen e informacionit. Sulmet verbale a fizike ndaj gazetarëve, kërcënimet përmes rrjeteve sociale a në çfarëdo forme tjetër, cenojnë të drejtat kushtetuese për lirinë e mediave dhe lirinë e shprehjes dhe alarmojnë për brishtësinë e funksionimit të demokracisë dhe sundimit të ligjit në vend.”, u bë e ditur në komunikatën e Avokatit të Popullit.

Sipas Institucionit në fjalë, autoritetet kanë obligimin kushtetues të garantojnë mbrojtjen dhe sigurinë e nevojshme për gazetarët, në përmbushjen e rolit të tyre, ashtu siç detyrohen për mosndërhyrje në punën e mediave, për transparencë dhe për lejim të qasjes në informacion dhe dokumente zyrtare, si komponenta thelbësore të realizmit të lirisë së medias, respektivisht lirisë së shprehjes dhe informimit.

Avokati i Popullit i konsideron shqetësuese rastet në rritje gjatë vitit 2020 të kërcënimeve, sulmeve fizike, cenimit të sigurisë dhe pengimit të ushtrimit të lirë të profesionit. Përkundër rasteve kur policia dhe prokuroria kanë kryer punën e tyre në identifikimin e kryesve të veprave kundrejt gazetarëve dhe i kanë proceduar tutje në organet e sistemit të drejtësisë,

Avokati i Popullit po ashtu, tërheq vëmendjen tek pandëshkueshmëria e rasteve kur gazetarët sulmohen, kërcënohen apo u pamundësohet kryerja e punës, gjë që ndikon në ambient të pasigurt për punën e mediave dhe tërthorazi e hap rrugën edhe për vetcensurën e gazetarëve dhe mediave. Gjithashtu, vështirësitë e vazhdueshme të gazetarëve për qasje në informacion dhe dokumente zyrtare, paraqesin shqetësim konsistent, përgjatë viteve.

“Duke e pasur parasysh ridefinimin e medias në epokën e internetit  dhe rrjeteve sociale dhe me mundësinë e secilit për t’u shndërruar në burim informate, Avokati i Popullit shfaq brengosjen për kërcënimet e linçimet publike për deklarime e për shprehje mendimi dhe i konsideron se këto paraqesin kërcënim për gëzimin e lirisë së shprehjes, brenda kufijve të garantuar të saj.”, u theksua më tutje në komunikatë.

3 maji, sipas Kombeve të Bashkuara shërben për të nënvizuar parimet themelore të lirisë së shtypit si dhe për të vlerësuar këtë liri në mbarë botën. Gjithashtu në këtë ditë theksohet rëndësia e mbrojtjes së mediave nga sulmet ndaj lirisë së tyre dhe nderohen gazetarët që kanë humbur jetën në krye të detyrës. /21Media