Syla do të intervistohet në cilësinë e të dyshuarit

Syla do të intervistohet në cilësinë e të dyshuarit

Ish-Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Azem Syla është nisur drejt Hagës për intervistim nga Gjykata Speciale.

Syla në Hagë shkon në cilësinë e të dyshuarit për veprimtarinë e tij gjatë dhe pas luftës.

Shkuarjen në Hagë e ka konfirmuar Ismail Syla, Këshilltar i Presidentit Thaçi.

“Çdo gjë në këtë botë ka dy anë të medaljes. Jeta e arsimtarit, profesorit, ish të burgosurit politik, luftëtarit të lirisë Azem Syla, nga cila do anë ka vetëm një të vërtetë – përkushtimin jetësor pë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Gjithmonë faqebardhë. Kudoqoftë. Do të kthehesh faqebardhë edhe pas këtij udhëtimi drejt Hagës”, ka shkruar Syla.

Gjykata Speciale është përgjegjëse për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve tjera penale në lidhje me akuzat nga Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2011, ku flitet për krimet e pretenduara se i kanë bërë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në periudhën prej vitit 1998 e deri në vitin 2000./21Media