Prokuroria e shtetit ende nuk ka bërë të ditur hetimet për keqpërdorimin e mjeteve nga pakoja emergjente fiskale, pavarësisht se policia e krimeve ekonomike ka nisur hetime dhe u janë ofruar dëshmi nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat.

Më i zëshmi për zbulimin e këtyre keqpërdorime të mundshme, ishte kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, i cili tha se ende nuk ka informata nga prokuroria nëse është dënuar ndokush, mirëpo, shtoi se ka informacione se policia e krimeve ekonomike ka nisur hetimet lidhur me argumentet që Sindikata e Sektorit Privat iu ka ofruar.

Azemi i intervistuari nga prokuroria ditë më parë, ka thënë për Kp se të gjitha këto argumente ia kishte ofruar edhe inspektoratit të punës, mirëpo, duket se edhe ata janë kërcënuar nga pronarët e kompanive.

“Të gjitha problemet që ne nuk mund t’i zgjedhim, atëherë kërkojmë mbështetjen e Inspektoratit të Punës, në fakt kur ne bisedojmë, jemi shumë të afërt me njëri-tjetrin, por diçka kam mund me e vërejte, që edhe inspektorati i punës shpeshherë po kërcënohet nga pronarët e kompanive dhe unë shtroj pyetjen kah gjithë ai guxim i pronarëve të kompanive, që ta kërcënoj një inspektor të punës”, tha Azemi.

Kp tentoi disa herë të marrë përgjigje me shkrim nga prokuroria, mirëpo ata nuk u përgjigjën.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi para pak javëve ishte intervistuar nga prokuroria, në lidhje me pretendimet e tij se kishte keqpërdorime të mjeteve të pakos emergjente.

Azemi tha se pakoja emergjente ka shkuar më shumë në dobi të pronarëve të kompanive se sa të punëtorëve. Ai thotë se Sindikata e Sektorit Privat ka kërkuar që mjetet kur pronarët e kompanive i kanë përvetësuar për vete, të kthehen në buxhetin e punëtorëve.

E për këto dyshime të tij për keqpërdorimin e mjeteve të punëtorëve nga kompanitë, Azemi tha se çdoherë është njoftuar ministri dhe zëvendësministri i financave, mirëpo pasi ata nuk kanë ndërmarrë asgjë, Azemi theksoi se është obliguar që të bëjë kërkesë në prokurorinë e shtetit dhe policinë e krimeve ekonomike që të vlerësohet gjendja për të cilën është njoftuar opinioni.

“Në moment që kemi pa se po keqpërdoren mjetet e punëtorëve, ne kemi thirrur ministrin dhe zëvendësministrin e financave dhe kemi biseduar me të gjithë arteret, kemi njoftuar opinionin se po keqpërdoren, por në moment kur kemi pa se nuk ka sukses dhe nuk ka reagime të ministrit të financave dhe organeve të tjera, andaj me 17 qershor të këtij viti, ne si sindikatë, gjegjësisht, unë si kryetar i kësaj sindikate kam bërë kërkese në prokurorinë e shtetit dhe në policinë e krimeve ekonomike që këta ta vlerësojnë gjendjen për të cilën ne kemi njoftuar opinionin, a ka keqpërdorime të mjeteve apo nuk ka, dhe fatbardhësisht mendoj që ndoshta në kohën me të duhur prokuroria së bashku me krimet ekonomike janë marrë vesh që këtë temë ta trajtojnë policia e krimeve ekonomike, bashkërisht me prokurorinë e shtetit dhe unë para dy- tre ditësh jam intervistuar më shumë se një orë e gjysmë nga policia e krimeve ekonomike, ku kam ofruar dokumentacion të mjaftueshëm, dhe kemi njoftuar që keqpërdorimet që i kanë bërë pronarët e kompanive”, u shpreh Azemi.

Sipas tij, keqpërdorimet e pakos emergjente nuk janë bërë vetëm në rundin e parë nga pronarët e kompanive, por kjo ka vazhduar tutje.

Azemi shtoi se policia e krimeve ekonomike nuk e kanë ditë ashtu sa duhet këtë gjendje, prandaj gjatë intervistimit, në detaje është argumentuar për keqpërdorimet e pronarëve të kompanive ndaj punëtorëve.

“Natyrën e punës të keqpërdorimeve nuk e kanë ditë ashtu sa duhet policia e krimeve ekonomike, me detaje i kemi argumentua keqpërdorimet e pronarëve të kompanive ndaj punëtorëve. Kemi ofrua njëfarë forme llogari bankare të punëtorëve ku shihet decidivisht që është bërë keqpërdorime dhe normal që kanë kërkuar të dhëna që kur të dalin në teren, se paku të jenë të pajisur me argumente të mjaftueshme”, tha ai.

Azemi shtoi se të gjitha institucionet shtetërore kanë dështuar në parandalimin e këtyre keqpërdorimeve, andaj edhe policisë se krimeve ekonomike u ka thënë se nëse nuk i trajtojnë siç duhet këto dyshime, si sindikatë do të jenë të obliguar të thonë se edhe policia e krimeve ekonomike është bashkëpjesëmarrëse e këtyre keqpërdorimeve./kp