Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Azerbajxhan njoftoi se një tubacion i naftës ka qenë shënjestër e luftimeve midis forcave armene dhe azerbajxhanase në dhe përreth rajonit të shkëputur të Nagorno Karabakut.

Raketa u hodhën në tubacionin Baku-Tbilisi-Çejhan.

Përpjekja për të dëmtuar tubacionin e rëndësishëm për sigurinë energjetike të Evropës “u parandalua si rezultat i masave të marra nga ushtria azerbajxhanase”, tha Zyra e Prokurorit, duke shtuar se një civil u vra.

Ministria e Mbrojtjes e Armenisë i hodhi poshtë akuzat, duke thënë se “raportet e Azerbajxhanit, për përpjekjen e trupave armene për të goditur tubacionin Baku-Tbilisi-Çejhan, janë gënjeshtra të drejtpërdrejta”.

Luftimet për Nagorno Karabakun kanë nisur qysh më 27 shtator.

Zyrtarisht pjesë e Azerbajxhanit, rajoni qeveriset nga armenët etnikë.

Dy palët kanë raportuar për së paku 240 viktima, përfshirë dhjetëra civilë.

Armiqësitë kanë rritur shqetësimet për zgjerim të konfliktit, me përfshirjen e mundshme të Turqisë, e cila është aleatja më e afërt e Azerbajxhanit, dhe të Rusisë, e cila ka një pakt mbrojtjeje me Armeninë.

Dy ish-republikat sovjetike, Azerbajxhani dhe Armenia, kanë zhvilluar një luftë për rajonin e Nagorno Karabakut më 1988-1994, e cila ka lënë rreth 30,000 njerëz të vrarë.

Është e paqartë se çfarë i ka shkaktuar luftimet e fundit./Rel