Sot janë bërë 4 vjet prej kur aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari u gjet i vdekur në rrethana ende të pasqaruar në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. E familjarë, aktivistë të shumtë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë bërë homazhe tek varri i Deharit.

Babai i Astrit Deharit, Avniu tha se ky katër vjetor flet për neglizhencën dhe papërgjegjësinë e institucioneve të Kosovës karshi rastit të djalit të tyre.

Ai deklaroi se drejtësia kosovare jo që nuk e ka tha fjalën e saj, por tentoi ta manipuloj rastin, dhe ta fsheh të vërtetën e vdekjes së Astrit Deharit.

Sot mbushen 4 vjet nga rënia e Astrit në burgun e Prizrenit drejtësia deri më sot jo që nuk e ka dhënë fjalën e vetë , por përkundrazi kanë bërë manipulime të shumta që ta cilësojnë si akt vetëvrasjeje ta fshehin të vërtetën. Ne jemi detyruar mu për këtë arsye që të kërkojmë ekspert nga Zvicra e mira do kishte qenë që tu drejtoheshim organeve tona të drejtësisë në Kosovës, por kur ato nuk e bëjnë punën si duhet e bëjnë e bëjnë të kundërtën…Ende nuk është mbyllur rasti i Astritit vetë katër vjet flasin për neglizhencën dhe papërgjegjësinë që kanë institucionet tona. Unë shfrytëzoj rastin që t’i përshëndes të gjitha këta që janë të pranishëm ato e po na gjenden pranë përkundër që janë ditë me pandemi”, tha Dehari.

Homazhe tek varri i Astrit Deharit kanë bërë edhe deputetë e aktivist të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët kishin veshur edhe bluzat me mbishkrimin “Drejtësi për Astritin”.

Homazhe bëri edhe deputeti Rexhep Selimi, para se të nisej për në Hagë.

Ndryshe, Astrit Dehari u gjet i pajetë në qelinë e paraburgimit në Prizren, katër vjet më parë. Nga autopsia vendore u tha se Dehari u vetëvra, por për shkak të dyshimeve, familja kërkoi një ekspertizë nga Qendra Universitare i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës. Nga hetimet e kryera nga ky institut u tha se aktivisti nuk ka bërë vetëvrasje teksa ndodhej në qendrën e paraburgimit në Prizren./KP