Më të prekurit nga këto probleme janë ato grupmosha që kanë sistem imunitar të dobët

Më të prekurit nga këto probleme janë ato grupmosha që kanë sistem imunitar të dobët

Lëngjet e ftohta, kondicionerët, mikrobet e ndryshme që qarkullojnë në këtë periudhë janë këta disa nga shkaktarët e shfaqjes së problemeve me grykët gjatë stinës së verës.

Mjekët tërheqin vëmendjen që me shfaqjen e shqetësimeve të para të drejtoheni te specialisti, sepse mostrajtimi në kohë mund të shfaqë ndërlikime serioze. Rënia e rezistencës së imunitetit, korrentet e ajrit, konsumimi i pijeve të ftohta, apo qëndrimi nën kondicioner apo ventilator, ndikojnë në acarimin e grykëve që në gjuhën mjekësore njihen me emrin faringite, por dhe rrugëve të sipërme të frymëmarrjes.

Faktorë për acarimin e faringiteve janë dhe mikrobet dhe viruset e ndryshme, që temperaturat e larta u krijojnë terren të përshtatshëm, për t’u shumuar dhe shndërruar në patogjen për organizmin. Natyrisht, ulja e rezistencës së mukozave te personat e predispozuar bën që të shfaqen të tilla probleme.

Sipas mjekëve, më të prekurit nga këto probleme janë ato grupmosha që kanë sistem imunitar të dobët, për këtë arsye fëmijët janë kontingjent më i rriskuar dhe më i prekur nga faringitet (fëmijët e moshave 2-6-10 vjeç). Ka raste që janë forma akute, por ka dhe raste riakutizimi të formave kronike, që kur krijohen kushte të përshtatshme rishfaqin simptomat.

Së pari, specialistë këshillojnë që për fëmijët e predispozuar për t’u prekur nga bajamet të tregohet një kujdes maksimal ndaj veshjes, qëndrimit në ambientin e jashtëm, sidomos në ditët e ftohta, por edhe në ato të nxehta, pasi fëmija nga lëvizja e tepër mund të djersitet shumë dhe kjo bëhet shkak për ftohje.

Gjithashtu, duhet të përdoren ushqime dhe pije të ftohta, por të gjitha në një temperaturë normale. Në të njëjtën kohë, duhet të kufizohet në maksimum përdorimi i pijeve të gazuara nga fëmijët, sidomos kur kanë bajame të sëmura (të skuqura, të qelbëzuara), sepse këto pije mund të përkeqësojnë stadin e sëmundjes. Trajtimi bëhet në varësi të shkaktarit. Kështu në rastet virale, lihet të bëhet cikli i vetë nën kontrollin e vazhdueshëm të mjekut specialist. Në këto raste jepen ushqime dhe pije të ngrohta, rekomandohet vitaminoterapi për të rritur rezistencën e organizmit.

Ndërsa në rastet kur shkaqet janë mikrobiale dhe shoqërohen me temperaturë, rekomandohen antipiretikët për uljen e temperaturës dhe antibiotikë pasi të jetë bërë më parë një kulturë fyti, për të përcaktuar llojin e mikrobit shkaktar. Po ashtu rekomandohen vitaminoterapi, kryesisht vitaminë C si dhe kalcium, që ndikojnë në rritjen e rezistencës së organizmit.