Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka prezantuar para deputetëve projekt-marrëveshjen ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillimin. Kjo marrëveshje ka vlerën totale të kredisë prej 46 milionë euro, me normë të interesi efektiv prej 1,20 për qind, për çka Bajrami tha se është kredi mjaft e volitshme.

Ajo ka ftuar deputetët e Kuvendit të Kosovës që të votojnë këtë marrëveshje të titulluar “projekti emergjent COVID-19 për Kosovën”.

“Ne si Ministri e Financave kemi negociuar dhe kemi arritur dakordim me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim, si anëtare e Bankës Botërore marrëveshjen e titulluar “projekti emergjent COVID-19 për Kosovën”. Marrëveshja financiare ndërkombëtare ka vlerën totale të kredisë prej 46 milionë euro. Ndërsa shlyerja e saj është në kushte më të volitshme se sa të tregjeve financiare. Marrë parasysh që Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim është organ që objektiv primar ka uljen e varfërisë dhe të gjitha produktet financiare janë të orientuara në këtë aspekt. Me normë të interesit 0,45 për qind dhe tarifë shërbimi prej 0,75 për qind. Pra me një normë interesi efektiv prej 1,20 për qind. Gjë që e bën këtë kredi mjaft të volitshme”, ka thënë ajo.

Bajrami ka njoftuar se kjo kredi ka afat kthimi prej 25 viteve. /kp