Bajrami i përgjigjet Muratit për tatimin: Ministër, mos thuaj të pavërteta

(Lajm i përditësuar)
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, i është kundërpërgjigjur ministrit të Financave, Hekuran Murati, që ka thënë se LDK-ja me propozimin e saj për faturat e tatimit në pronë dëshiron që të përfitojnë biznesmenët dhe jo qytetarët.
Në një postim në Facebook, Bajrami duke i cilësuar si të pavërteta deklaratat e Muratit, ka shkruar se bizneseve “as nuk u është rritur tatimi e as nuk përfitojnë nga pezullimi i vlerësimit”.
“Hekuran Murati i cili thotë se i ka shpërndarë 800 milionë euro ndihma qytetarëve dhe bizneseve, që dy vite, e i cili nuk e ka guximin ta publikoj asnjë listë të top 50-përfituesëve, të ‘200 masave të tij’, sot paska renditur një mal me të pavërteta për konferencën e LDK-së. Ministër, mos thuaj të pavërteta! Bizneseve as nuk ju ke rritë tatimin e as nuk përfitojnë nga pezullimi i vlerësimit. Ministër, që dy vite as edhe një vendim të vetëm nuk e ke marrë për avancim dhe përmirësim të politikave fiskale, thjeshtë po bën punën e një kontabilisti, po të pëlqen të kesh bilanc pozitiv, po i varfëron qytetarët përmes tatimeve dhe mandej po bën sikur po i shpërblen ata me nga 50 e 100 Euro. Asnjë shtet nuk është zhvilluar me politikën e lëmoshës”, ka thënë Bajrami.

Ajo e ka quajtur “injorant” ministrin Murati. Ka thënë se rritja e tatimit nuk i ka prekur fare bizneset.

Murati: LDK kundër propozimit tim, po i mbron biznesmenët
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka listuar disa nga arsyet pse duhet të votohet propozimi i tij që secilit tatimpagues t’i falen deri në 100 euro të faturës së tatimit në pronë.
Por, Murati ka thënë se opozita po e kundërshton këtë propozim.
Murati përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se LDK po e kundërshton këtë propozim, e po kërkon të kthehet vlerësimi i vjetër, pasi sipas tij, LDK’ja po i mbron biznismenët.
“A e dini pse? Sepse janë me qindra biznesmenë, ndërtimtarë e tregtarë, ku me vlerësimin që po kërkon opozita, secili do të paguante mijëra euro më pak. Sidomos bizneset ndërtimore, të cilat kanë në pronësi me qindra banesa që i mbajnë pa shitur, në mënyrë që artificialisht të mbajnë çmimet e larta për banesa”, ka shkruar Murati./21Media

Back to top button