Bajrami ia komenton Kurtit qeverisjen 18-muajshe, pajtohet veç me një të arritur

Në një vjet e gjysmë qeverisje, kryeministri Albin Kurti thotë se Qeveria që ai drejton me punë dhe dije, dinjitet dhe guxim, është angazhuar për të arritur rezultatet që u duhen të gjithëve.
Për këtë ka reguar deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e cila nga dhjetëra pika të cilat Kurti i ka numëruar si arritje, Bajrami është pajtuar vetëm me njërën.
Në një postim në Facebook, Bajrami ka komentuar lëvdatën e Kurtit për rritjen ekonomike prej 10.7 për qind, si atë që e ka cilësuar rritjen më të madhe në rajon. Kurti ka përmendur edhe rritjen ekonomike prej 4.9 për qind në çerekun e parë të vitit sivjet. Bajrami ka thënë se 2021-ta 2021 ishte vit postpandemik dhe se rritja ekonomike nuk i atribuohet Qeverisë. Ajo ka thënë se Mali i Zi ka pasur rritje më të madhe ekonomike. Ka shtuar se në çerekun e dytë të vitit rritje ekonomike ishte 2.14 për qind.

Për pakot ekonomike, që Kurti tha se më 2021 ishte mbi 300 milionë euro dhe sivjet edhe 350 të tjera, Bajrami ka thënë se për “këto qindra miliona euro të shpërndara vetëm ju dhe ministri Murati jeni në dijeni, sepse në asnjë raport nuk figurojnë”. Ajo i ka kërkuar Qeverisë ta publikojë edhe listën e “50 top përfituesve”, në emër të transparencës.
Rritjen e të hyrave të Doganës dhe Administratës Tatimore të Kosovës, Bajrami ia ka atribuuar rritjes së çmimeve. “Për inflacion jemi të parët në rajon”, ka thënë ajo.
Lëvdatën për rritje të eksporteve, Bajrami e ka komentuar duke pyetur se kush janë eksportuesit.
Marrëveshjen mbi 200 milionë dollarëshe me MCC-në amerikane në fushën e energjisë, Bajrami ka thënë se Qeveria Kurti e ka gjetur të gatshme.
Për luftën ndaj ekonomisë joformale, Bajrami i ka kërkuar Kurtit të publikojë emra të kontrabanduesve ose edhe shifra se sa janë në burg.
Deputetja e LDK-së ka thënë se Kurti po krenohet me suksese të ATK-së, që sipas saj, “edhe sot e kësaj dite po udhëhiqet nga njeriu i cili është zgjedhë jashtëligjshëm, i ka kaluar mandati në fillim të këtij viti, i cili në Gjykatë e ka rrëzuar konkursin e shpallur nga ministri Murati, i cili merr vetëm gjysmën e pagës për shkak të shkeljeve që ka bërë në ATK dhe Qeveria e 51% nuk ka qenë në gjendje me gjet një profesionist brenda ATK-së dhe me vendosë si UD”. “Kujdes me çka po krenohesh Kryeministër!” ka shkruar Bajrami.
Për rritjen e inspektimeve, Bajrami ka pyetur Qeverinë se cili është rezultati.
Teksa Kurti u lavdërua se arsimi publik është bërë falas, për rritje të buxhetit e lansimin e sistemit dual të edukimit, Bajrami ia ka kujtuar kryeministrit se qe një muaj shkollat vazhdojnë të jenë të mbyllura e mbi 300 mijë nxënës janë pa mësim.
Dyfishimin e buxhetit në mbrojtje, Bajrami e ka kthyer me pyetjen se çka është investuar me ato mjete.
“Kur? Kush? Kënd? Shih statistikat e dhunimeve. Krim me të rënd se dhunimi s’ka. Dhunuesit po sillen të lirë në vendin tonë”, ka shkruar ajo për lëvdatën e Kurtit për luftim të krimit dhe kontrabandës.
Iniciativën për vetting e byronë shtetërore për konfiskim të pasurisë, Bajrami ka thënë se i ka kontestuar Komisioni i Venecias. “Aq keq i keni filluar saqë vështirë që do t’i përfundoni ndonjëherë. Drejtësia nuk reformohet duke e bërë të varur nga politika”, ka thënë Bajrami.
Për një pikë ajo ka pasur lëvdatë për Kurtin. Bëhet fjalë për themelimin e Institutit për dokumentimin e Krimeve për të ruajtur kujtesën kolektive. “Bravo!” ka shkruar ajo.
Për luftën ndaj korrupsionit, Bajrami ka thënë se Kosova “ende nuk ka mbërri atje ku ka qenë në Qeverinë Mustafa”.
Për vizat ajo ka thënë se Qeveria Kurti ka “‘merita’ vetëm që na keni lënë pa viza deri më tani”.
Bajrami është shprehur skeptike për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës, “sepse eksponentë të BE-së kanë thënë disa herë që as nuk i keni konsultuar kur keni aplikuar”.
Në fund, Bajrami ka thënë se për menaxhim të deritashëm të Qeverisë Kurti është dashur të përmenden “shtrenjtimi i rrymës, reduktimet e energjisë në gusht, mungesa e investimeve të huaja, kthimi i Serbisë si partneri kryesor tregtar, thellimi i deficitit tregtar, ikja e të rinjve, sidomos fuqisë së kualifikuar punëtore, ikja e mjekëve, greva në arsim dhe administratë publike, krimi/dhunimet, kontratat e negociuara/korrupsioni, arrestimet në rastin Brezovica/lidhjet me VV-në, nepotizmi në punësime – asnjëherë deri më tani nuk janë marrë parasysh rekomandimet e kompanisë britanike për punësime të larta, humbja e shpresës – sondazhet që tregojnë që çdo i dyti dëshiron të ikën nga ky vend etj.”./21Media
Back to top button