Bajrami-Kurtit: Nëse shkojmë në zgjedhje as vota për Kryeparlamentar s’do të kesh

Deputetja e Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami, kritikoi kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se ai po kërkon një figurë jopartiake dhe garanci me 85 vota për zgjedhjen e presidentit.

Bajrami paralajmëroi se nëse shkohet në zgjedhje, Kurti nuk do të ketë vota as për kryetar Kuvendi, e lëre më për president.

“Në vitin 2021, as nuk i kanë pasë 80 vota të sigurta, as kandidatja s’ka qenë konsensuale. Sot, Kurti po kërkon figurë jopartiake/unifikuese dhe garanci me 85 vota. Veç një gjë duhet ta dimë: nëse shkojmë në zgjedhje prapë, as vota për kryetar të Kuvendit s’ka me pasë, e lëre më për president”.

Ajo theksoi se situata po vazhdon nga bllokada në krizë dhe shprehu shqetësimin për kontrollin e plotë të buxhetit dhe institucioneve nga ana e kryeministrit.

“Pra, prej bllokade në bllokadë, prej krize në krizë, me rëndësi Kurti të ketë kontroll të plotë mbi buxhetin dhe institucionet. Të mjerët ne kush po na udhëheqë! Uroj ta kuptojmë sa më parë”, ka shkruar Bajrami në Facebook.

Pas takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, Kryeministri Albin Kurti tha para gazetarëve se për çështjen e presidentit po synojnë të kenë 85 vota, pasi siç tha ai mund të ishin komod, dhe se numri prej 80-81 deputetëve do të ishte rrezik tepër i madh.

Unë vazhdoj ta kem qëndrimin e njëjtë, që nëse kemi emër të përveçëm dhe po synojmë që të jenë veçse 80 apo 81 veta në sallë, në këtë legjislaturën e dhjetë ky do të ishte rrezik tepër i madh, vetëm një shumicë prej 84-85 do të na bënte komod për emrat e përveçëm. Edhe më tutje besoj që numri 80 apo 81 nuk është caku ynë për të ecur përpara, është më shumë se aq. Duhet të synojmë deri në fund, që të kemi 84-85”, tha Kurti sot para gazetarëve.

Back to top button