Në seancën plenare, ku në pikën e parë janë deklarimet jashtë dite, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka ngritur një çështje që ka të bëjë me Ministrinë e Arsimit, dikasterin që ajo drejtonte vitin e kaluar.

Bajrami ka thënë se përkundër që gjendja në arsim në kohë pandemie nuk është aspak mirë, deputetët e pozitës dhe ministrja e MASHTI-të Arbërie Nagavci, po vazhdojnë të bëjnë analiza dhe të bëjnë konstatime për gjendjen në arsim, e jo të marrin vendime dhe ta bëjnë ndryshimin e pritur.

Sipas saj, vendimi i fundit i Nagavcit ka bërë një ndryshim për të keq.

Vendimin për ndarjen e 60 bursave për studentët nga Kosova për të studiuar në Kolegjin CITY në Selanik, Bajrami e ka cilësuar vendim të gabuar.

Ajo ka thënë se Kolegji CITY  është për 8 mijë e 957 pozita më poshtë se Universiteti i Prishtinës.

Deputetja ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të kërkojë raport nga Nagavci, dhe kjo marrëveshje të rishikohet menjëherë dhe të anulohet./21Media