Zëvendëskryeministrja Albulena Balaj-Halimaj sonte u shpreh se i kuptojnë shqetësimet e prodhuesve të qumështit.

Balaj-Halimaj përmes një postimi u shpreh se ministri Vesel Krasniqi po bëjnë të pamundurën për t’u dal në ndihmë.

“Qeveria e Kosovës që nga dita e parë e punës si prioritet të saj, padyshim e ka përkrahjen e prodhuesve vendor, në këtë rast fermerëve dhe përpunuesve të qumështit. Ne vlerësojmë se nuk mund të ketë zhvillim të hovshëm ekonomik për sa kohë që nuk fuqizojmë prodhuesit vendor dhe sektorin privat në përgjithësi. Ditëve të fundit kemi parë disa protesta të fermerëve dhe prodhuesve të qumështit, dhe ne i kuptojmë shqetësimet e tyre. Ne jemi të vetëdijshëm me vështirësitë që po përballët ky sektor si rezultat i pandemisë COVID-19, por në anën tjetër Qeveria dhe ministri Vesel Krasniqi po bëjnë të pamundurën për t’u dal në ndihmë jo vetëm këtij sektori, por të gjithë atyre që kanë nevojë për ndihmën e shtetit.”, shkroi ajo.

Sipas zëvendëskryeministres, vendimi i ministrit Krasniqi për ndalimin e përkohshëm të vajit të palmës është në kuadër të vendimeve që ministri po i merr për mbrojtjen e konsumatorit.

“Tanimë me vendim të Qeverisë është dyfishuar subvencionimi për litër të qumështit, ndërsa në kuadër të Pakos për rimëkëmbje ekonomike parashihet që të subvecnionohet 25% e çmimit të qumështit që është në stok.”, shkroi më tutje në facebook Balaj-Halimaj.

Të indinjuar me mosveprimet e qeverisë për largimin e produkteve me vaj palme, qumështarët e Kosovës sot mbajtën një protestë ku në shenjë pakënaqësie derdhën produktet e tyre në rrugët e Prishtinës./21Media