Mario Balotelli nuk u paraqit paraditen e sotme në stërvitje me Brescian, ndërsa mediat italiane raportojnë se aventurës së tij me “dallëndyshet” duket se i ka ardhur fundi tashmë.

Sulmuesi pritej të paraqitej sot në stërvitje, pasi kishte refuzuar më herët ofertën për një zgjidhje me marrëveshje të kontratës, por nuk u shfaq në Torbole në seancën e paradites.

Skuadra e Bresicas ka parashikuar edhe një seancë stërvitore pasditen e sotme ,në orën 19:00, ndërsa nëse sulmuesi italian nuk do të paraqitet sërish, atëherë presidenti Cellino mund të nisë procedurat për zgjidhje të menjëhershme të kontratës.

Balotelli iu bashkua Brescias verën e kaluar, pas një aventure prej më tepër se dy sezonesh në kampionatin francez, por rikthimi në Itali nuk rezultoi aspak siç pritej dhe problematikat filluan shumë shpejt.

Pak ditë më parë edhe presidenti i Brescias Massimo Cellino deklaroi se ishte penduar që kishte afruar Balotellin, duke lënë të kuptohet se nuk do të ketë rinovim të bashkëpunimit në fund të këtij sezoni.