Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, sot zhvilloi takim virtual me drejtorin e ri të Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, Massimiliano Paolucci.

Me këtë rast, Guvernatori Mehmeti uroi Paolucci për pozitën dhe i uroi sukses në rolin e ri si drejtor i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Guvernatori Mehmeti, siç u bë e ditur në një komunikatë nga BQK, e informoi Paoluccin lidhur me masat që BQK-ja ka ndërmarrë gjatë kohës së pandemisë, si dhe e informoi lidhur me zhvillimet në sektorin financiar në Kosovë.

“Guvernatori Mehmeti njoftoi ekipin e Bankës Botërore për performancën e mirë të  sektorit financiar në Kosovë, e në veçanti atij bankar dhe potencoi rëndësinë e këtij sektori në mbështetje të zhvillimit ekonomik të vendit. Guvernatori Mehmeti po ashtu shpalosi pikëpamjet e Bankës Qendrore lidhur me perspektiven e zhvillimit ekonomik në përgjithësi dhe rolin e sektorit financiar si kontribuues kyç në financimin e ekonomisë, në veçanti.”, u bë e ditur në komunikatën e BQK-së.

Nga ana tjetër, drejtori i ri i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Massimiliano Paolucci theksoi se institucioni që ai drejton do të vazhdojë të mbajë në nivel të lartë bashkëpunimin me BQK-në, në realizimin e projekteve që për qëllim kryesor kanë zhvillimin e vazhdueshëm të sektorit financiar dhe të ekonomisë së Kosovës në përgjithësi./21Media