Banka Botërore parashikon rënie ekonomike prej 4.5% për Kosovën

Nëse masat frenuese do të mund të hiqen deri në fund të qershorit

Një rënie ekonomike prej 4.5 për qind në Kosovë brenda 2020-s parashikohet në raportin më të ri të Bankës Botërore si pasojë e Covid-19.

“Për Kosovën, raporti parashikon që ekonomia do të pësojë rënie prej 4.5 për qind në vitin 2020, e që do të pasohet me rikthim në rritje në vitin 2021. Shpërthimi i COVID-19 dhe masat e nevojshme të frenimit janë duke shkaktuar presion të paparë për investimet, konsumin privat, por edhe për eksportet dhe remitancat nga diaspora. Ndërsa konsumi mund të rikthehet ndërkohë që ekonomia rimëkëmbet, eksportet e shërbimeve dhe investimet do të marrin më shumë kohë për t’u rimëkëmbur. Në këtë kontekst, të hyrat publike do të pësojnë rënie të konsiderueshme”, shkruan në Raportin e Rregullt Ekonomik të Bankës Botërore, i cili shqyrton skenarin bazë dhe skenarin më pesimist për të gjitha vendet e botës.

Për shkak se Kosova hyri në krizë me disa mbulesa fiskale (depozitat të larta qeveritare, borxh relativisht të ulët publik), sipas raportit ajo tani ka ca hapësire fiskale për të zbutur efektet e pandemisë, megjithëse kjo hapësirë është e kufizuar nga rritja e njëkohshme e shpenzimeve rrjedhëse.

“Sidoqoftë, tejzgjatja e pandemisë dhe masave frenuese mund të çojnë në recesion më të thellë dhe mungesë më të madhe të të hyrave, duke kufizuar më tej hapësirën fiskale për përgjigje në nivel të politikave. Përveç shtyrjes së përgjithshme të pagesave të detyrimeve tatimore, qeveria në detyrë veproi me shpejtësi dhe shpalli pakon e reagimit ndaj emergjencës prej rreth 2.8 për qind të PBB-së për të mbështetur qytetarët, bizneset dhe profesionet e prekura. Shënjestrimi adekuat në ofrimin e pakos për më nevojtarët mbetet vendimtar për zbutjen e ndikimit të menjëhershëm në ekonomi, varfëri dhe shoqëri. Do të jetë e rëndësishme që të ruhet ca hapësire fiskale për të qenë në gjendje për të ofruar mbështetje plotësuese nëse nevojitet në rast se kriza zgjat më shumë, dhe për të mbështetur më vonë rimëkëmbjen e nevojshme ekonomike”, thuhet tutje në raport.

Banka Botërore njoftoi se është duke finalizuar një program aktivitetesh, që është mund të tejkalojë 120 milionë euro, për të mbështetur Kosovën në menaxhimin dhe zbutjen e ndikimit të Covid-19. Ky program përfshin një projekt të ri me procedura të përshpejtuara për t’iu përgjigjur prioriteteve urgjente të sektorit të shëndetësisë dhe për të mbrojtur të ardhurat e ekonomive familjare, përfshin ristrukturimin e projekteve tashmë të aprovuara për të mobilizuar fondet në mbështetje të NVM-ve, si dhe mbështetje buxhetore për rimëkëmbjen ekonomike dhe për t’i ndihmuar autoritetet që të plotësojnë nevojat e tyre të financimit.

Ndërkohë, sa i përket Ballkanit në tërësi, rënia parashikohet të jetë në mes të 3 dhe 5.6 për qind./21Media

Back to top button