Më 20 korrik u promovua rikonstruimi i rrugës Butel – Rashtak në Maqedoninë e Veriut.  Disa muaj më parë, kjo rrugë ngjalli revoltë te banorët e Rashtakut. Kanë bllokuar punimet e asfaltimit të rrugës, për shkak se ndihen të rrezikuar.

Banorët thanë se rruga, e cila i shpie deri te shtëpitë e tyre, ka mbetur si në gropë dhe mund të rrezikohen nga vërshimet.

“Sot kemi dalë të protestojmë, për shkak se rruga është shtruar 15 kilometra, por kjo rruga ku jemi ne, kemi pengesa. Atje ka hypur lartë, ne kemi mbetur poshtë. Çfarë ka ujë, gjithë uji mblidhet këtu edhe nuk kanë lënë asnjë kanalizim për të dalë uji. Ne kemi dalë dhe i bllokuan punëtorët”, tha një banor.

“Mund të hyjë uji në shtëpia. Fëmijët kur shkojnë në shkollë, bëhet pusetë këtu. Nuk mund të shkojnë as në shkollë fëmija”, u shpreh një banor tjetër.

Pasi panë kamerën e TV21, u afruan inxhinierët që mbikëqyrën punimet e asfaltimit të rrugës. Porositën sasi shtesë të asfaltit.

Banorëve u premtuan, për tre ditë do të asfaltohet edhe kjo rrugë.

Por, ata nuk besojnë, sepse thanë u premtuan edhe shumë gjëra tjera që nuk u realizuan.

“Nëse asfaltohet zgjidhet problemi, mirëpo ne sërish nuk kemi besim, se kanë premtuar se do të ndërtohet edhe stadium, do të vendosin bankina për rrugë, do të vendosin ndriçimin në rrugë, mirëpo asnjë premtim nuk ka”, potencoi një tjetër banor.

Stadiumin më së shumti po e duan fëmijët. “Pooo… Stadium, stadium…”.

Për të gjitha këto kontaktuam kryetarin e Gazi Babës, Boris Georgievski, por ai ishte i paqasshëm për të dhënë deklaratë, raporton TV21./21Media