Një numër i banorëve të Prishtinës, sot kanë protestuar lidhur me vendimin e Komunës së Prishtinës për ndërmarrjen “Prishtina Parking”, ku sipas rregullores së re, për banorët e lagjes, pagesa parashihet të jetë 10 euro muaji, për biznese 45 euro, ndërsa për qytetarët të cilët nuk janë pjesë e lagjes 1 euro ora.

Pasi që nuk kishin marrë përgjigje nga Komuna e Prishtinës, me peticionin i cili përmbante 82 nënshkrime, banorët vendosën të dalin në protestë, derisa bëjnë thirrje, që nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre, protestat do të vazhdojnë.

Sikur të mos i mjaftonte problemi me parkingjet, banorët e qendrës, thonë se janë në “hall” edhe me zhurmën e kafiterive.

Qytetari Shefki Ukaj, i cili banon në rrugën “Rexhep Luci”, ka thënë se vetëm në vendin tonë ndodh që objektet e banimit t’i shndërrojnë në kafiteri, derisa ka shtuar se parkingjet që komuna pretendon t’i kthejë me pagesë, duhet të ketë parasysh që në atë zonë, nuk është parking publik.

Banorja tjetër, Violeta Hasani, ka deklaruar se komuna e Prishtinës, nuk ka diskutuar me banorët lidhur me taksën e parkingut në zonën “Qendra”, derisa theksoi se banorët do të përdorin çdo mjet për ta ndaluar këtë realizimin e këtij plani.

Ndërkohë, në protestë u pa edhe asambleisti i PSD-së në Kuvendin e Prishtiës, Adrian Berisha, i cili u kritikua nga qytetarët se nuk ka mbajtur asnjë premtim, që i ka dhënë këtyre të fundit.

Berisha, që tha se rastësisht u gjend para protestuesve, ndaloi për t’i sqaruar protestuesit se si ka ardhur deri te çmimi i parkingjeve.

Unë veç desha t’ju informoj, ju kërkoj ndjesë, janë edhe nja 50 të tjerë që nuk ja ndjenë fare…Unë nuk jam ekzekutiv, ekzekutivi është me zgjidh probleme. Veç erdha të informoj se si ka ardhur deri te çmimi i parkingjeve. Ju si qytetarë keni votuar për 51 përfaqësues edhe ata e kanë votuar, tash ti ki drejt si qytetar të ankohesh, por 51 asamblistë, përfaqësues të qytetit e kanë miratuar këtë çmimore”, tha ai./KP