Pas takimit me kryetarin e Prishtinës Shpend Ahmeti, kreu i PD-së, Lulzim Basha tha se angazhimi i parë që kam marrë në këtë vizitë është që bashkërendimi të jetë i plotë edhe me forcat politike në Kosovë, larg protagonizmave të pavend.

Ai tha se për proceset e rëndësishme si ai i dialogut me Serbinë kërkohet një bashkërendim mes SHBA-së dhe Bashkimit Evropian.

“Një mbështetje totale e pakushtëzuar ndaj forcave politike në Kosovë. Nuk ka vend për mësimdhënie. Shërbimi më i mirë që mund t’i bëhet Kosovës është heqja dorë nga protagonizmi i pavend, që është shfrytëzuar për konsum të brendshëm”, ka shtuar Basha.

Në lidhje me propozim-aktakuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Basha theksoi se askush dhe asgjë nuk mundet ta njollos luftën çlirimtare që ishte luftë mbrojtjeje ndaj agresorit.

Ndërsa, kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti pasi falënderoi Bashën për vizitën u shpreh se nevojitet një kohezion i faktorit politik shqiptar. Sipas tij, ky është një vit vendimtar për Kosovën, jo vetëm sa i përket dialogut e gjykatës, por është periudhë e vështirë për Kosovën.

Ahmeti tha se ndihma e Shqipërisë është më e domosdoshme se kurrë.