Basha në takim me qytetarë në qytetin e Korçës

Basha në takim me qytetarë në qytetin e Korçës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vijuar këtë të hënë turin e takimeve në qytetin e Korçës. Basha u takua me biznesin e vogël nga ku nuk i kurseu akuzat në drejtim të qeverisë.

Sipas liderit demokrat, gjendja e biznesit ka ardhur duke u përkeqësuar si pasojë e taksave të larta të vendosura nga qeveria.

Në fjalën e mbajtur, Basha ka thënë se me ardhjen e PD në pushtet biznesi do të zhvillohet sërish, pasi sipas tij kjo gjë do të bëhet duke hequr taksën e naftës.

“Ju të keni në dorë qeverisjen dhe qeveria të kujdeset për interesin e njerëzve. Kemi një qeveri që është shkëpur nga njerëzit. Nuk dëgjon njerëzit. Sa herë vij këtu, keq e më keq. Gjendja e biznesit ka ardhur duke u përkeqësuar. Do të heqim “Taksën Rama” mbi naftën me 300 lekë që do të japë efekt të menjëhershëm tek biznesi dhe qytetarët. Çdo familje që ka një makinë dhe harxhon mesatarisht 100 litra naftë në muaj, kursen 30 mijë lek. Për biznesin e vogël, për një kamionçinë, kursimi shkon në 90 mijë lek në muaj, vetëm nga ulja e çmimit të naftës. Për biznesin e madh kursimi shkon deri në 700 mijë lekë të reja. Vetëm ulja e çmimit të naftës do të sjellë energji të reja në ekonomi. Do të ulë koston, do të rrisë fuqinë blerëse të qytetarëve do të rrisë xhiron dhe qarkullimin”, ka thënë Basha.

Ai ka thënë gjithashtu se PD do të ulë në 20% çmimin e energjisë për biznesin e vogël. Ai ka theksuar gjithashtu se të gjitha bizneset me nën 140 milionë lekë ne vit do të klasifikohen si biznese të vogla.

“Ulja e çmimit të energjisë për biznesin e vogël do të jetë 20%. Ulja e çmimit të energjisë do t’ju krijojë mundësinë që të mbani biznesin. Të punësoni edhe dikë tjhetër dhe të mos mbyllni biznesin. Me xhiro nën 140 milionë lek të vjetra në vit do të klasifikohet si biznes i vogël. Do të përjashtohet nga TVSH dhe do të paguajë vetëm një taksë lokale dhe qëndrore bashkë. 0.5% të xhiros vjetore. Me këtë taksë do të shlyhesh të gjitha detyrimet ndaj shtetit. Do të vendosësh një pullë këtu në xham dhe prania e çdo inspektori do të kondiderohet e paligjshme. Këto masa i marrim për të përmirësuar klimën e biznesit si punësuesi më i madh. Ulje e çmimin të naftës, ulje të çmimit të energjisë dhe 0.5% taksë e xhiros vjetore. Pa larguar një qeveri që është kapur duke ju vjedhur ju asgjë nuk bëjmë dot. Më 16 shkurt qytetaria e Korçës të zbresë në Tiranë në protestë”, ka thënë ai./vizionplus