Basha: Rama ka dështuar

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, foli të premten nga çadra e protestës, në ditën e 70-të saj

Basha tha se qeverisja e kryeministrit Edi Rama dështoi në të gjitha drejtimet dhe se rruga e vetme e shpëtimit është qeveria teknike, si garanci e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“Ora e së vërtetës është ulur këmbëkryq në këtë shesh dhe kush e do vettingun e vërtetë dhe zgjedhjet e lira bashkohet me ne në këtë rrugë. Sot shpaloset fare qartë para atyre të majtëve stoikë që akoma besonin se me Edi Ramën Shqipëria do të reformohet se ai përfaqëson kërcënimin më të madh dhe real ndaj shpresave të çdo shqiptari, të majtë dhe të djathtë, për liri e progres, për jetë të ndershme, me djersën e ballit e në vendin e vet”, ka thënë Basha.

Duke u ndalur te zgjedhja e presidentit, kreu i PD-së tha se dita e sotme konfirmon katërcipërisht se këta e konsiderojnë gjithçka plaçkë të tyre.

“Këtu është katandisur demokracia fasadë, me kupolën e Ramës dhe Metës, këtu ka përfunduar posti i Presidentit, që pasi i hoqën me ligj çdo kompetencë, tani e trajtojnë si një rifuxhio dhe si një plaçkë për të kënaqur orekset e njërit dhe tjetrit dhe për të mbyllur pazarin e pistë me anë të të cilit mendojnë se do të asgjësojnë demokracinë shqiptare”, u shpreh ai.

Back to top button