Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, është duke marrë pjesë në Forumin e Sigurisë të Beogradit virtualisht, pjesë së cilës janë edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak.

Në fjalën e tij, Hoti tha se dekadat e fundit për regjionin kanë nënkuptuar transformim të marrëdhënieve në mes shteteve duke shtuar se kjo është shenjë e qartë e paqes në rajon dhe stabilitetit.

Duke përmendur njohjen reciproke, Hoti tha se “politika rajonale janë të mundshme kur punojmë së bashku, kur njohim njëri-tjetrin, kur jemi të përkushtuar për një dialog konstruktiv për të gjitha çështjet dhe për të punuar për të drejtat e minoriteteve”.

Tutje kryeministri tha se Kosova ka dhënë shenja të qarta se ka kontribuar dhe vazhdon të jetë kontribuues i sigurisë në rajon.

Sipas Hotit, qëllimi i shteteve të rajonit duhet të mbetet integrimi në Bashkimin Evropian dhe në zonën euroatlantike.

Ne nuk jemi në kufi të Evropës, por në njëjtin kontinent dhe besoj në të ardhme europiane për rajonin. Sa i përket marrëdhënieve me shtetet fqinje ne kemi treguar shenja të qarta në angazhimin për paqe dhe për të normalizuar marrëdhëniet pas luftës shkatërruese të vitit 1999. Mendoj që duhet të angazhohemi fuqishëm për të normalizuar marrëdhëniet me Serbinë. Politika jonë është e qartë se duhet të punojmë me të gjitha vendet e rajonit”, theksoi Hoti.