Bastisjet në ARBK, Prokuroria: Dyshime për keqpërdorim të pozitës dhe falsifikim të dokumenteve

(Lajm i përditësuar)
Aksioni policor në ARBK, prokuroria po merr në pyetje tre zyrtarë të këtij institucioni
Me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Policia e Kosovës ka kryer një bastisje në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës. Prokuroria bëri të ditur se bastisja u krye nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” si dhe veprën penale “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve”. Prokuroria Themelore ka konfirmuar se gjatë aksionit në stacionin policor janë shoqëruar tre persona zyrtar të kësaj agjencie dhe të njëjtit janë duke u marrë në pyetje.
“Ju njoftojmë se personat të cilët dyshohen për veprat penale ”Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas nenit 414 të KPRK-së, dhe veprën penale ”Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve” nga neni 391 të KPRK-së, janë duke u intervistuar. Lidhur me këtë Prokurori i Shtetit po ndërmerrë të gjitha veprimet ligjore në përputhje me legjislacionin në fuqi.”
Gjatë ditës u raportua se dyshimet fillestare të Prokurorisë, lidhen me ndryshimin e aksioneve të pronësisë së një biznesi, ndërsa gjatë këtij aksioni, policia ka kufizuar përkohësisht hyrjen e stafit në objekt.
Në mesin e personave që po merren në pyetje nga prokuroria u tha të jetë edhe ushtruesja e e detyrës së kryeshefës së ARBK-së./RTV21
Tre zyrtarë të ARBK-së shoqërohen në Polici, aksioni vazhdon
Tre zyrtarë të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, përfshirë ushtruesen e detyrës së drejtores, janë shoqëruar në Polici, ndërsa aksioni në ARBK po vazhdon.
RTV21 merr vesh se në stacionin policor janë shoqëruar tre persona, duke përfshirë edhe ushtruesin e detyrës se kryeshefes së këtij institucioni./21Media
Bastisjet në ARBK, Prokuroria: Dyshime për keqpërdorim të pozitës dhe falsifikim të dokumenteve, aksioni po vazhdon
Policia e Kosovës është duke e zhvilluar një bastisje në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë.
Përmes një njoftimi, Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se ky arsyeja e kësaj bastisje është për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe veprën penale ‘’Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve’’.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik, se në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, dhe njësitë e tjera mbështetëse, në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, në orët e hershme të mëngjesit të ditës së sotme, ka realizuar një aksion.
Gjatë këtij aksioni janë kryer bastisje në Agjencinë e Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), institucion që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprave penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ sipas nenit 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe veprën penale ‘’Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve’’, sipas nenit 391 të KPRK-së. Aksioni është ende në zhvillim e sipër, ndërsa Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore në funksion të zbardhjes së plotë të rastit. Lidhur me zhvillimet e mëtejme, do të njoftoheni në vazhdimësi”, thuhet në njoftim.