Bashkimi Demokratik për Integrim edhe sot ka vazhduar fushatën e nisur ditë më parë për zgjedhjen e Kryeministrit shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Në kumtesën dërguar mediave, kjo parti u bënë thirrje partive shqiptare që t’i bashkëngjiten kësaj iniciative.

Më poshtë iu sjellim kumtesën e plotë të BDI-së:

“Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson që Marrëveshja paqësore e Ohrit po zbatohet, gjuha shqipe tani më është gjuhë zyrtare dhe shqiptarët tani më kanë më shumë se asnjëherë më parë, pozicione kyçe siç janë gjyqtarët në Gjykatën Supreme dhe Kushtetuese, ministra në ministri kyçe, Kryetar të Parlamenti dhe shumë të tjera. Megjithatë, për arsye të tendencave përjashtuese dhe refuzimit të barazisë, shqiptarët akoma përballen me vështirësi në vendet e tyre të punës, në jetën e përditshme dhe në ballafaqimin me një drejtësinë selektive. Prandaj, kjo na nxiti që të marrim hapin e radhës, për të hequr edhe vështirësitë e fundit të qytetarëve shqiptarë, në mënyrë që të kemi barazi të plotë dhe qasje dhe përgjegjësi të barabartë në pushtet. Kjo është arsyeja se pse ne angazhohemi që të kemi Kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Arritëm shumë në historinë tonë si shqiptarë në Maqedoninë e Veriut dhe gjithmonë kemi luftuar të bashkuar për qëllime të përbashkëta. Si gjatë luftës ashtu edhe gjatë krizës. Tani, është koha për t’u bashkuar rreth qëllimit që është më i rëndësishëm se çdo parti, dhe më i i rëndësishëm se çdo person. Së bashku, me votë të bashkuar të shqiptarëve, të secilit prej nesh, por edhe të të tjerëve, mund ta arrijmë edhe këtë. BDI i fton të gjitha partitë shqiptare etnike dhe të gjithë qytetarët shqiptarë, që ta mbështesin këtë kauzë kombëtare për Kryetar shqiptar të Qeverisë.

 Tani është koha që të gjithë së bashku ta shkruajmë historinë tonë, tani është koha të vazhdojmë drejtë barazisë së plotë. Por, gjithashtu është koha që të gjitha partitë shqiptare të marrin një qëndrim: a janë të gatshëm të rreshtohen në anën e duhur të proceseve për të ecur përpara dhe ta mbështesin iniciativën për Kryeministër shqiptar?

BDI i fton të gjitha partitë shqiptare që t’i bashkëngjiten kësaj iniciative dhe së bashku të bien dakord për Kryeministrin e ardhshëm shqiptar të Maqedonisë së Veriut. Me një Kryeministër shqiptar, për herë të parë në histori shqiptarët do të drejtojnë ekzekutivin dhe domta marrin atë përgjegjësi. Për herë të parë, Kryeministri në mënyrë të barabartë do të jetë i të gjithë qytetarëve. Kryeministër për barazi dhe unitet: për vende pune të barabarta, për paga të barabarta, për të drejta të barabarta dhe për drejtësi joselektive. Për shqiptarët dhe për të gjithë qytetarët në vend.

Një kohë të gjatë kjo ishte vetëm një ëndërr. Ndërsa kësaj radhe, ne këtë mund ta bëjmë realitet. Ashtu si i bëmë realitet edhe ëndrrat tona të mëhershme. Për një të ardhme të sigurt, më të mirë për të gjithë ne, dhe për barazi të plotë.

Tani është koha jonë. Së bashku, mund të shkruajmë histori duke e ndërtuar të ardhmen. Për ne shqiptarët, dhe për gjithë vendin”./21Media