Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), do të rifillojë më 12 korrik.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka konfirmuar se kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të takohen në raundin e ri të bisedimeve.

“Dialogu Beograd -Prishtinë do të rifillojë në 12 korrik në Bruksel me Josep Borrell, Miroslav Lajcak, Avdullah Hoti dhe Aleksandar Vuçiq për të çuar përpara punën në marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë Serbi”, ka shkruar Stano në një postim në “Twitter”.

Dialogu, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011. Ky proces u ndërpre në fund të vitit 2018, për shkak të një takse të vendosur nga autoritetet kosovare ndaj mallrave të Serbisë. Kjo masë më pas u zëvendësua me reciprocitet./21Media