Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Kosovës kanë nënshkruar sot një kontratë me vlerë 26.5 milionë euro që do t’i ndihmojnë Kosovës të adresojë pasojat e pandemisë COVID-19.

Pagesa e parë prej 20.5 milionësh pritet që të bëhet përpara fundit të këtij viti.

Kjo mbështetje e re e BE-së do t’i sigurojë buxhetit të Kosovës fonde shumë të nevojshme për zbutjen e ndikimit socio-ekonomik të krizës së COVID-19 mbi qytetarët dhe bizneset e Kosovës.

Udhëheqës i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, pas nënshkrimit të marrëveshjes me kryeministrin Avdullah Hoti, tha se përmes kësaj mbështetjeje BE do të mund të ndihmojë bizneset, gratë dhe burrat të cilët e kanë të pamundur për të përballuar vështirësitë financiare me të cilat përballen në këtë situatë të vështirë.

Gjatë takimit Kryeministri Hoti prezantoi zbatimin e masave të mbështetjes ekonomike për të lehtësuar pasojat e pandemisë. Ai theksoi se Qeveria do të rris kontrollin e shpenzimeve dhe sigurinë e TI-së, si dhe do të bëjë hapa konkret për të adresuar gjetjet e raportit të auditimit të IT-së të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës për vitin 2020. 

Kryeministri Hoti dhe Ambasadori Szunyog theksuan rëndësinë e procedurave transparente të prokurimit publik për të fituar besimin e publikut. Ata u dakorduan të ndajnë arsyetimet për përdorimin e procedurave të negociuara për 18 muajt e fundit dhe të zhvillojnë legjislacionin e ri për prokurim publik duke ndjekur praktikat më të mira legjislative./21Media