Marrëveshja nënshkruhet në ora 17:00

Marrëveshja nënshkruhet në ora 17:00

Nataliya Apostolova, Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë do të nënshkruajë sot një kontratë me vlerë 5 milionë euro për nevoja të menjëhershme të Kosovës për luftimin e pandemisë COVID-19.

Ceremonia e sotshme e nënshkrimit do të transmetohet drejtpërdrejt në orën 17:00 në Facebook përmes faqes së BE-së në Kosovë (@EuropeanUnionInKosovo). Sipas njoftimit, ngjarja do të zhvillohet përmes një platforme virtuale të takimeve.

“Kontrata do të përfshijë furnizimin me pajisje të specializuara laboratorike dhe mjete për mbrojtjen nga COVID-19 dhe trajtimin e tij, për nevojat e Qendrës Klinike Universitare në Prishtinë. Pajisjet përfshijnë respiratorë/ventilatorë, pompa infuzioni dhe pompa infuzioni shiringë, auto-ambulanca, oksimetër pulsi në gisht dhe oksimetër pulsi, monitorues të pacientëve, defibrilatorë, elektrokardiografë. Në rast se disa nga artikujt e mësipërme nuk mund të sigurohen, do të prokurohen furnizimet e artikujve të tjerë të nevojshëm, siç janë testet, gypat, maskat, dorezat dhe dezinfektuesit. Artikujt do të blihen përmes Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS), e cila do të jetë nënshkruesi tjetër i kontratës.”, thuhet në njoftim.

Eventi do të zhvillohet në prani të Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe Ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia./21Media