BE: Kemi besim se presidenti do të zgjidhet shpejt nga Kuvendi i ri

 

Shefi i Zyrës së BE dhe Shefat e Misioneve të Shteteve Anëtare të BE-së në Kosovë përmes një deklarate të përbashkët për media thonë se po i ndjekin me vëmendje të madhe përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Ata nënvizojmë rëndësinë e zgjedhjeve transparente, të besueshme dhe përfshirëse, duke iu bërë thirrje të gjitha institucioneve përkatëse të Kosovës që të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare, të lirë nga presioni politik dhe t’i respektojnë vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të gjyqësorit. “Inkurajojmë qytetarët e Kosovës që ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar duke i respektuar të gjitha masat kundër pandemisë COVID-19”.

BE ka dërguar një Mision të Ekspertëve të Zgjedhjeve (EEM) në Kosovë që mbulon të gjithë procesin e përgatitjes së zgjedhjeve, votimit dhe numërimit, duke përfshirë fazën e ankimimit. EEM do ta përgatitë një raport për zgjedhjet duke përfshirë rekomandimet se si të përmirësohet dhe forcohet më tej procesi zgjedhor.

“Për më tepër, ne, diplomatët nga Zyra e BE/PSBE dhe përfaqësimet e Shteteve Anëtare të BE, së bashku me kolegët e tjerë ndërkombëtarë, do ta ndjekim nga afër procesin zgjedhor në ditën e zgjedhjeve duke i vizituar qendrat e votimit. Ne gjithashtu e mirëpresim dhe përkrahim punën e organizatave të shoqërisë civile të Kosovës në vëzhgim të fushatës zgjedhore dhe procesit në ditën e zgjedhjeve”, thuhet në deklaratë.

Deklarata vijon “Ne i qëndrojmë fuqishëm partneritetit tonë të fortë e të qëndrueshëm me Kosovën. Jemi të gatshëm që të angazhohemi me anëtarët e zgjedhur të Kuvendit. Kemi besim se Presidenti do të zgjidhet shpejt nga Kuvendi i ri dhe do të formohet qeveria e re, me kohë, në mënyrë që të promovojë reforma dhe zhvillime të mëtejshme, ta luftojë korrupsionin, ta forcojë sundimin e ligjit dhe ta çojë përpara të ardhmen Evropiane të Kosova, përfshirë vazhdimin e Dialogut të lehtësuar nga BE në mes të Beogradit dhe Prishtinës”.

“Mirëpresim diskutimin lidhur me zbatimin e rekomandimeve të raporteve të njëpasnjëshme të Misioneve të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të Bashkimit Evropian me autoritetet e Kosovës pas zgjedhjeve. I ftojmë të gjitha partitë që t’i rroken punës pas zgjedhjeve në mënyrë që t’i zbatojnë ato rekomandime”, përfundon deklarata.

Back to top button