Shefi i Zyrës së UNOPS shprehu mbështetjen për sektorin e shëndetësor në Kosovë

Shefi i Zyrës së UNOPS shprehu mbështetjen për sektorin e shëndetësor në Kosovë

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Përfaqësuese e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova nënshkroi sot një kontratë me vlerë 5 milionë eurosh  me UNOPS për nevoja të menjëhershme të Kosovës për luftimin e pandemisë COVID-19.

Ceremonia e nënshkrimit është transmetuar drejtpërdrejt në Facebook përmes faqes së BE-së në Kosovë, përmes një platforme virtuale të takimeve.

Ambasadorja Apostolova tha se BE mbetet e përkushtuar për të ndihmuar Kosovën në luftimin e përhapjes së pandemisë me koronavirus, si pasojë e të cilit deri mbrëmë janë konfirmuar 94 raste.

“Ne sot nënshkruajmë kontratë me UNOPS për të sjellë në Kosovë pajisje furnizuese në vlerë pesë milionë euro. Kjo përfshin 30 respiratorë/ventilatorë, 150 pompa infuzioni, 5 auto-ambulanca, dhe 400 shtretër të kompletuar spitalorë të ri… Si pjesë shtesë e ndihmës emergjente, BE është duke punuar në sigurimin deri në 60 milionë eurove për rikuperim ekonomik pasi që pandemia me koronavirus të ketë përfunduar. BE qëndron pranë popullit të Kosovës. Ne jemi së bashku në gjithë këtë dhe së bashku do të jemi më të fuqishëm”, tha Apostolova.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti mirëpriti ndihmën e BE-së për Kosovën në luftimin e pandemisë COVID-19, duke thënë se shpreson që vendi së shpejti do të tejkalojë gjendjen e krijuar.

“Ne jemi shumë të lumtur për këtë ditë të rëndësishme për solidaritetin tuaj të madh të treguar me popullin dhe institucionet e Kosovës. Unë jam këtu me ministrin e Shëndetësisë dhe atë të Integrimeve Evropiane. Ne jemi falënderues për këtë ndihmë për luftimin e përhapjes së pandemisë COVID-19. Koronavirusi nuk njeh kufij… Me ndihmën e BE ne do të ketë më shumë vetëbesim në këtë luftë dhe jemi të sigurt dhe do të dalim nga situata sa më herët dhe me sa më pak pasoja dhe humbje”, tha Kurti.

Ndërsa, shefi i Zyrës së UNOPS në Prishtinë, Brendan Keirnan shprehu mbështetjen e tij për sektorin e shëndetësor në Kosovë për t’u përballur me gjendjen e krijuar si pasojë e koronavirusit.

Kontrata do të përfshijë furnizimin me pajisje të specializuara laboratorike dhe mjete për mbrojtjen nga COVID-19 dhe trajtimin e tij, për nevojat e Qendrës Klinike Universitare në Prishtinë. Pajisjet përfshijnë edhe barna, pompa infuzioni shiringë, oksimetër pulsi në gisht dhe oksimetër pulsi, monitorues të pacientëve, defibrilatorë, elektrokardiografë.