Zyra e Josep Borell, Përfaqësues i Lartë i BE-së në një përgjigje me shkrim ka thënë se nëse marrëveshja ndërkombëtare e kërkon ndryshimin e Kushtetutës, ajo duhet të ndryshohet dhe kjo vlen si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë.

Nabila Massrali nga kjo zyre ka thënë për kallxo.com këtë duke iu referuar deklaratës së të deleguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Askush nuk ka thënë se kjo është e pamundur, Kushtetuta nuk është Bibël. Nëse merremi vesh për gjëra serioze, atëherë natyrisht se kjo duhet të reflektohet edhe në Kushtetutë kishte thënë Lajçak.

Lidhur me këtë, nga zyra e Borell kanë thënë se Lajçaku thjesht kishte shpjeguar si funksionojnë marrëveshjet ndërkombëtare.

“Z.Lajçak ka shpjeguar se çfarë ndodh kur arrini një marrëveshje ndërkombëtare. Kur të arrini një marrëveshje ndërkombëtare, rregullimet e nevojshme ligjore duhet të merren nga qeveria, duke përfshirë nivelin kushtetues, në mënyrë që të integrojnë atë në rendin e brendshëm ligjor dhe kushtetues. Kjo vlen si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë”, thuhet në përgjigje.

Avdullah Hoti, Kryeministër i Kosovës, ditë më parë kishte thënë se Asociacioni është temë e mbyllur me Marrëveshjen e vitit 2013. Në tetor të vitit 2015, kjo marrëveshje u dërgua për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Gjykata Kushtetuese, në vendimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015, tha se Marrëveshja për Asociacionin në 23 pika të saj, nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Gjykata kishte konstatuar që Asociacioni i komunave me shumice serbe do të themelohet, siç ishte paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit në vitin 2013. Ndërsa, Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit e vitit 2015 nuk është tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës. Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar që akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe statuti që implementon parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, duhet të plotësojë standardet kushtetuese./kallxo.com