BE nuk e “di” kur mbahet takimi i niveli të lartë?

Bashkimi Evropian nuk ka bërë të ditur se kur do të mbahet takimi i nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë të cilin e paralajmëroi përfaqësuesja e lartë Kaja Kallas, pas ujdisë së arritur për ligjin për të huajt.

“Mund të konfirmojmë se nuk ka asgjë të re që mund t’ju ndajmë në këtë fazë. Përfaqësuesja e lartë ka përmendur përsëri në postimin e saj në rrjetet sociale këtë fundjavë se është e gatshme të organizojë një takim të nivelit të lartë së shpejti”.

As qeveria e Kosovës nuk dha ndonjë përgjigje nëse kanë pasur kontakt me BE-në rreth këtij takimi dhe as se çfarë pret në dialog pas dakrodimit për ligjin për të huajt.

Por Analisti politik, Afrim Kasolli  thotë se vazhdimi i procesit varet nga zhvillimet aktuale të brendshme politike në Kosovë por edhe Serbi.

Sipas tij, kurdo që të mbahet takimi i nivelit të lartë, Asociacioni i komunave me shumicës serbe do të jetë temë kryesore në tavolinë të bisedimeve.

“Dy vendet tashmë janë zotuar për marrëveshje të Brukselit dhe  të Ohrit besoj se takimet kurdo që të mbahen nuk do jenë në funksion të marrëveshjeve të reja por në drejtim të zbatimit të  këtyre detyrimeve që për bashkësinë ndërkombëtare BE-SHBA kanë karakter obligativ ligjor dhe u mbetet palëve vetëm t’i zbatojnë. Mbi Kosovën vazhdimisht është thënë se duhet ta hedh hapin fillestar në drejtim të adresimit të draft-statutit të komunave me shumicë serbe  dhe kurdo që mbahen takimet  e tilla besoj se kjo do jetë tema kryesore e bisedimeve, dërgimi i  draft-statutit në Gjykatë kushtetuese”, tha Kasolli për rtv21

Pajtueshmëria mes Kosovës dhe BE-së për zbatim të ligjit për të huajt me disa masa lehtësuese për komunitetin serb është cilësuar nga faktori ndërkombëtar si momentum i ri në procesin e dialogut.

Mirëpo njohësi i Integrimeve Evropiane, Avni Mazrreku, shprehet skeptik për ndonjë përparim në këtë proces.

Nuk pres që dialogu do të prodhojë ndonjë zgjidhje afatshkurtër ose afatgjate……”, deklaroi Mazrreku për rtv21

Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit në vitin 2023 por kjo marrëveshje nuk është zbatuar.

Së fundmi Parlamenti Evropian në raportin e tij të zgjerimit ua ka bërë të qartë palëve se pa përparim në dialog nuk mund të ketë anëtarësim në Bashkimin Evropian./RTV21/21Media

Back to top button